Site icon Telegrafi

Drita fiton derbin e javës ndaj Prishtinës

Drita ka fituar ndaj Prishtinës me rezultat 2-0 në ndeshjen derbi të javës së 26-të në BKT Superligën e Kosovës.

Ekipi i Ardian Nuhiut ka arritur t’i kthehet fitores në kampionat pas katër ndeshjeve (dy humbje, dy barazime), duke e mposhtur Prishtinën në shtëpi.

Pjesa e parë e ndeshjes i takoi vendasve, të cilët patën shumë raste për gol, por pa arritur ta tundin rrjetën, shkaku edhe i pritjeve të Egland Haxhos.

Drita tentoi pa sukses në fillim me Ilir Blakçorin dhe Ardian Limanin e më vonë edhe me Almir Ajzerajn dhe një tollovi në minutat shtesë, ku nuk arritën të shënojnë, ndërsa Prishtina provoi pa sukses me anë të Leutrim Kryeziun.

Edhe pjesa e dytë nisi më mirë dhe përfundoi më mirë për vendasit, të cilët krijuan më shumë, rrezikuan më shumë dhe shënuan dy gola.

Marko Simonovski (47’) tentoi nga distanca, goditjen e të cilit e priti Haxho, por vetem një minutë më vonë sulmuesi maqedonas lëshoi një goditje të fortë duke shënuar gol të bukur për 1-0.

Prishtina pastaj mori iniciativën duke tentuar golin e barazimit dhe rrezikuan me anë të Besnik Krasniqit (57’), por goditjen e tij e priti Faton Maloku.

Më vonë, Drita u rikthye përsëri në lojë duke qenë skuadër më e mirë duke krijuar raste dhe shënuar golin e dytë me anë të Prince Balde (81’) për 2-0, që doli të ishte edhe rezultati përfundimtar.

Pas kësaj fitore, gjilanasit e shohin veten në pozitën e tretë me 46 pikë, ndërsa kryeqytetasit në vendin e gjashtë me 32 pikë.

Në ndeshjen e ardhshme, Drita udhëton te Ulpiana, ndërsa Prishtina e pret Llapin. /Telegrafi/

Exit mobile version