Drita e ka nisur sezonin me një fitore me rezultat 3-1 në shtëpi ndaj Besës së Pejës në ndeshjen e vlefshme për javën e katërt në Superligën e Kosovës.
Kampioni aktual i Kosovës ka marr fitoren e parë në ndeshjen e tyre të parë këtë sezon, pas një pushimi pa ndeshje në tri xhirot e para shkaku i angazhimeve në garat ndërkombëtare.
Djelmoshat e trajnerit Ardijan Nuhiu kanë arritur të mposhtin me vështirësi ekipin e inkuadruar këtë sezon në Superligë, Besën.
Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me lojë më të mirë për një nuancë nga vendasit, edhe pse të dy skuadrat arritën ta tundin portën nga një herë.
Të parët shënuan vendasit me anë të Kastriot Rexhës (5’), por goli iu anulua për pozitë jashtë-loje, ndërsa i njëjti shënoi edhe në minutën e 13-të për epërsinë 1-0 të Dritës.
11’ Kastriot Rexha opens his scoring account⚽️ after an assist from Festim Alidema
1:0— FC Drita (@DritaFc) September 30, 2020
Besa arriti të rikthehet në lojë në minutat shtesë të pjesës së parë me anë të Gentrit Salihu, i cili dërgoi skuadrat në pushim me rezultat të barabartë 1-1.
Në pjesën e dytë, përsëri vendasit ishin për një nuancë më të mirë dhe në fund arritën ta shënojnë edhe dy gola për të siguruar një fitore të madhe.
Ishte mesfushori Hamdi Namani (78’), i cili shënoi për 2-1, ndërsa Rexha (80’) vulosi fitoren e Dritës me rezultat përfundimtar 3-1.
Në ndeshjen e radhës, Drita udhëton te Feronikeli, ndërsa Besa e pret në shtëpi Trepçën ’89. /Telegrafi/