Telegrafi

Drita dhe Prishtina takohen në Turqi në finalen e Superkupës së Kosovës

Për herë të parë në histori të futbollit kosovar një finale vendore do të zhvillohet në një tjetër shtet.

Duke marrë parasysh se në vitin 2020 kalendari ishte shumë i ngjeshur, finalja e Superkupës së Kosovës nuk është zhvilluar deri më tani.

Kampioni në fuqi i Kosovës, Drita do të përballet në këtë finale me fituesin e Kupës, Prishtinën.

Të dyja skuadrat ndodhen në Antalya të Turqisë për fazën përgatitore dhe janë pajtuar që ndeshja e Superkupës të zhvillohet atje.

Drejtuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës kanë shkuar në Turqi së bashku me trofeun të cilin do t’ia dorëzojnë ekipit fitues.

Kjo ndeshje do të zhvillohet në kompleksin sportiv Mardan, ku do të fillojë nga ora 12:00 me orën tonë lokale dhe në 14:00 me kohën turke lokale.

Takimi mes dy skuadrave të mëdha kosovare do të gjykohet nga gjyqtarë turq me stemë të FIFA-s, por që deri më tani emrat e tyre nuk janë bërë publik.

Pritet të jetë një ndeshje jashtëzakonisht interesante, pasi Drita dhe Prishtina janë rival të mëdhenj në futbollin tonë dhe sa herë janë përballur këto dy skuadra spektakli nuk ka munguar. /Telegrafi/