Drita dhe Prishtina i kanë ndarë pikët (0-0) në kryendeshjen e xhiros së 12-të në Superligën e Kosovës në futboll që u zhvillua të martën në Stadiumin e Qytetit në Gjilan.
Të dyja skuadrat u përpoqën në minutat e para që ta zhbllokonin rezultatin, mirëpo iu mungoi efikasiteti.
Një ndërhyrje e Gledi Micit në Almir Ajzerajn brenda zonës bëri që gjyqtari të akordonte penallti në favor të skuadrës nikoqire.
Përgjegjësinë për ekzekutimin e njëmbëdhjetëmetërshit e mori Erjon Vucaj, mirëpo goditjen e tij e ndali portieri Eglant Haxho.
Vendasit ishin më të rrezikshëm deri në mbyllje të fraksionit të parë, mirëpo nuk arritën që ta zhbllokonin rezultatin.
Tentativat nuk munguan edhe në pjesën e dytë, mirëpo nuk ishin të mjaftueshme për të prodhuar rrezik.
Barazimi e lë Dritën në pozitën e dytë me 23 pikë, tri më pak se lideri Ballkani, kurse Prishtina numëron 15 pikë dhe ndodhet në vend të pestë në tabelë. /Telegrafi/