Janë zhvilluar gjashtë ndeshjet e xhiros së 33-të në Raiffeisen Superligën e Kosovës në futboll.
Nuk ka dyshim se vëmendja kryesore ishte në qytetin e Gjilanit, ku u zhvillua derbi ndërmjet Dritës dhe Gjilanit, për ta mbyllur kështu edicionin e elitës së futbollit kosovar me një sfidë të ndjekur nga mijëra tifozë.
Shorti deshi që në ndeshjen e fundit të stinorit, dy skuadrat rivale të përballen mes vete, në një moment kur Drita ishte në një pozitë të palakmueshme, pasi i nevojitej fitorja për t’i shpëtuar rënies nga Superliga.
Ishte një gjysmë e parë e mirë për sy, e shoqëruar nga spektakli në tribuna, mirëpo munguan golat. Shkëmbim Salihu për Gjilanin dhe Alban Shillova për Dritën i patën shanset më të mira në këtë gjysmëlojë.
U desh që të zhvillohej minuta e 80-të për t’u zhbllokuar rezultati. Egzon Shabani shënoi pas asistimit të Rusit, cili lëvizi mirë nga krahu i majtë.
Përkudnër humbjes, Drita e ka edhe një shans për të qëndruar në Superligë, pasi do të luajë në barazh me Dukagjinin.
Ndërkohë, ndeshje tjetër interesante ishte ajo që u zhvillua në Skenderaj, ndërmjet Drenicës dhe Istogut. Në pjesën e parë u shënuan dy gola. Hysen Tahiri realizoi i pari për Drenicën (10’), derisa Fatlum Gashi (31’) barazoi për Istogun.
Në gjysmën e dytë, vendasit realizuan përsëri. Hysen Tahiri riktheu epërsinë (68’) pas asistimit të Lushtakut dhe ky ishte goli i fitores.
Pas kësaj ndeshjeje, Drenica do të luajë në barazh (me Flamurtarin) për të qëndruar në Superligë, derisa Istogu në edicionin e ardhshëm do të luajë në Ligën e Parë së bashku me Vushtrrinë.
Në ndeshjet tjera, kampioni Feronikeli ka luajtur ndaj Hajvalisë (2-2), Liria e ka pritur Llapin (2-2), Vushtrria ishte nikoqire e Trepçës ’89 (0-0), ndërsa Prishtina priti Besën (1-2). /Telegrafi/