Drita sërish dështon me skuadrat e fundit të tabelës, kësaj radhe gjilanasit janë mposhtur nga Fushë Kosova në udhëtim me rezultat minimal 1-0.
Ishte skuadra gjilanase që pati më shumë nga loja në pjesën e parë, madje duke krijuar raste të mira shënimi me Baftiun, Dabiqajn e Blerim Krasniqi, por pa sukses.
Me rezultatin baras 0-0 u mbyllën 45 minutat e para në këtë sfidë.
Edhe në pjesën e dytë Drita krijoi raste të mira shënimi me Baftiun, Dabiqajn e Selmanin, por portieri vendas bënte pritje të pabesueshme.
Rastin më të mirë e kishte Almir Ajzeraj, megjithatë edhe goditja e tij nga penalltia u prit nga portieri vendas.
Ishte minuta e 88-të e ndeshjes, kur Fushë Kosova doli në një kundërsulm të shpejtë derisa Sinanovic realizoi për 1-0.
Drita tentoi deri në fund të barazonte rezultatin, megjithatë nuk arriti të bënte gjë më shumë dhe Fushë Kosova i siguroi tre pikë të mëdha.
Vendasit tani shtojnëgjasat për mbijetesë pasi kanë 15 pikë në pozitën e nëntë, derisa Drita mbetet e treta me 43 pikë pesë më pak se lideri Ballkani.
Në xhiron e ardhshme Fushë Kosova luan në udhëtim te Dukagjini, derisa Drita luan derbin me Prishtinën në Gjilan. /Telegrafi/