Burhan Rashiti, drejtori sportiv i Dritës së Gjilanit, akuzon klubin e Partizanit se po kërkon të marrë lejekalimin e mesfushorit Ylber Ramadani në mënyrë të parregullt, ndërsa kujton se mes klubeve ka një marrëveshje, por drejtuesit e kuq nuk po e respektojnë duke kërkuar t’ua marrim fshehurazi lojtarin.
“Ne si klub kemi arritur marrëveshje që të paguhet dëmshpërblimi, por tani kanë ndryshuar sjelljet e drejtuesve të Partizanit. Ata po mundohen që ta marrin lejekalimin nga FFK, që është jashtë çdo rregulli”.
Rashiti u kujton të kuqve që Ramadani ka një kontratë të rregullt me klubin, ndërsa paralajmëron të kuqtë se po bëhen gati të ndjekin rrugën ligjore në lidhje me këtë çështje.
“Kur lojtari ka kontratë të rregullt në federatë, atëherë është e pakuptimtë përse mundohen ta marrin lojtarin fshehurazi, kur parimisht jemi marrë vesh për të gjitha çështjet e tjera sa i përket dëmshpërblimit".
"Drejtuesit e Partizanit, duket se nuk po na llogarisin ne si klub. Ua bëjmë me dije se ne jemi duke përgatitur rrugën ligjore që na takon, dhe nëse është nevoja do ta ndjekim rrugën tonë edhe në UEFA e FIFA” , është shprehur Rashiti sipas “Gazeta Olle”.