Federata e Futbollit e Kosovës dhe sponsori i Superligës, Albi Mall vazhdojnë ndarjen e çmimit “Ylli i Javës”. Ky çmim për javën e 27-të në Albi Mall Superligë i ka takuar futbollistit të Prishtinës, Drilon Islami.
Vlerësimi i më të mirit të javës është bërë nga Komisioni i veteranëve të futbollit në përbërje: Lulzim Berisha, Avni Shala dhe Besim Slishani.
Ky komision vendosi që çmimi “Ylli i Javës” për xhiron e 27-të t’i takojë Drilon Islamit, i cili ishte më i angazhuari në fushë, sidomos në ndërprerjet e kundërshtarit në mesfushë.
Pika e arkëtuar e Prishtinës në ndeshjen kundër Ballkanit, sipas komisionit ishte meritë e organizimit të lojës nga Islami.
Pasi mori këtë çmim futbollisti i Prishtinës u shpreh i lumtur që për herë të parë u vlerësua si më i miri i javës.
“Jam shumë i lumtur që jam zgjedhur Ylli i javës. Pa ndihmën e bashkëlojtarëve dhe stafit nuk do të mund të kisha një sezon kaq të mirë, andaj i falënderoj të gjithë”, ka thënë fillimisht Islami për faqen zyrtare të FFK-së.
“Ky çmim është një motiv shtesë që të vazhdoj tutje nga ndeshja në ndeshje të arkëtojmë pikët maksimale që ta arrijmë synimin tonë – daljen në Evropë”.
“Nesër na pret një ndeshje e vështirë në kuadër të gjysmëfinales së Kupës së Kosovës, por duke e ditur objektivin e klubit, do ta japim maksimumin për të arritur finalen dhe për ta fituar këtë trofe”, përfundoi mesfushori. /Telegrafi/