Basketbollisti i vitit 2012 në Kosovë, Drilon Hajrizi ende nuk ka vendosur për të ardhmen e tij. Hajrizi sezonin e kaluar luajti për Pejën, por kontrata me pejanët i ka përfunduar dhe ende nuk ka biseduar për vazhdimin e saj.
Ai thotë se këtë gjë do ta bëjë pas përfundimit të muajit të madh të Ramazanit. Hajrizi njihet si besimtar i devotshëm i fesë myslimane.
“Momentalisht jam në pushime dhe nuk jam në bisedime me asnjë skuadër. Besoj se pas muajit të Ramazanit do të vendosi për të ardhmen. Kam disa oferta, por do t’i shqyrtoj javën e ardhshme”, është shprehur fillimisht Hajrizi për ‘Sport Plus’.
Ai thotë se primare do të jetë Peja, pasi i mbrojti ngjyrat e kësaj skuadre sezonin e kaluar. “Jam kontaktuar edhe nga Peja, por ende nuk kam vendosur. Dëshira e tyre është që të vazhdoj të jem pjesë e tyre. Ata kanë disa obligime ndaj meje, por shumë shpejt do të bisedojmë për vazhdimin e bashkëpunimit ose jo”, theksoi ish-basketbollisti i Trepçës.
Mësohet jozyrtarisht se klubi i Pejës iu ka borxh lojtarëve pagat për tre muaj. /SportPlus/Telegrafi/