Deputeti i Kuvendit nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Shemsedin Dreshaj, ka reaguar pas ngjarjeve që ndodhën sot në Komisionin Hetimor për Subvencionimin e Teksteve Shkollore ku deputetët e VV-së në kundërshtim me Ligjin për komisionet hetimore parlamentare dhe Rregulloren për mbarëvajtjen e punës në komisionet hetimore parlamentare, kanë zgjedhur kryesuesin e këtij komisioni.
Dreshaj, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se për këtë “maskarallëk”, i ka shkruar edhe Kryetarit të Kuvendit.
“Në përpjekje për të fshehur manipulimet me subvencionimin e teksteve shkollore, deputetët e Vetëvendosjes sot paskan vendosur të bëjnë puç në Komisionin Hetimor që e kryesoj unë. Në kundërshtim me Ligjin e me rregullore, paskan vendosur që në Komision të zgjedhin kryesuesin e zëvendëskryesuesin e Komisionit Hetimor. Por këtë të drejtë e ka vetëm Seanca Plenare e Kuvendit, o të mjerë”, ka thënë Dreshaj, transmeton Telegrafi.
Më tej deputeti i AAK-së, ka thënë se kjo nuk është parë e nuk është dëgjuar ndonjëherë.
“Komisionet hetimore në praktikat parlamentare në gjithë botën i udhëheq opozita. Dyshoj të jetë ndryshe edhe në Kore të Veriut. Madje, deputetët e VV-së kanë nxjerrur nga mbledhja edhe stafin teknik të Kuvendit që kanë tërhequr vërejtjen për shkeljen e Ligjit dhe të Rregullores për mbarëvajtjen e punës në komisionet hetimore parlamentare”.
“Për këtë maskarallëk, i kam shkruar edhe Kryetarit të Kuvendit, të shohë nëse ai ka gjë në dorë e ta ndalë këtë maskaradë të VV-së”, ka shkruar Dreshaj.
Ndërkohë, Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka thënë se vendimi i deputetëve të shumicës për zëvendësimin e kryetarit dhe zëvendës-kryetarit nga radhët e opozitës të Komisionit Hetimor Parlamentar për hetimin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore, është i paligjshëm dhe sulm i drejtpërdrejtë mbi mandatin e deputetit.
Tahiri ka theksuar se në panikun e gjetjeve të deritanishme të komisionit, kjo mbledhje është zhvilluar pa i njoftuar deputetët e opozitës për mbajtjen e saj.
Ai thënë se PDK do t’i drejtohet Prokurorisë Speciale për të hetuar aferën korruptive të manipulimit me tekstet shkollore. /Telegrafi/