Kandidati për kryetar të Komunës së Istogut nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Gani Dreshaj, ka thënë se djali i një drejtori komunal e ka shfrytëzuar shtëpinë e kulturës në Istog për diskotekë.
Dreshaj, në emisionin “Duel D” në RTV Dukagjini në përballjen me kandidatin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haki Rugova, ka numëruar keqpërdorimet e bëra gjatë qeverisjes së Rugovës në Komunën e Istogut.
“Sa për ilustrim po përmend rastin kur djali i drejtorit Bedri Hajzeraj, ka shfrytëzuar shtëpinë e kulturës për diskotekë, pa paguar tatim, pa paguar rrymë, pa paguar asgjë”, tha Dreshaj.
Ai gjithashtu ka përmendur investimet që janë duke u bërë në tri javët e fundit, në projekte të ndryshme infrastrukturore, pa u paguar fare.
Dreshaj ka thënë se sapo të marr mandatin e kryetarit do të kërkojë auditim, për të konstatuar borxhet që ka komuna. /Telegrafi/