Shemsedin Dreshaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka kërkuar nga deputetët e pozitës dhe të opozitës në Kuvendin e Kosovës që ta përkrahin nismën e kësaj partie për skemat pensionale.
Dreshaj përmes një konference për media ka thënë se ligji aktual është diskriminues, pasi siç u shpreh ai qytetarët nuk e gëzojnë të drejtën e tyre që të marrin pensionet meritore.
“Ky ligj është diskriminues. Kërkesa bënë fjalë për plotësim-ndryshimin e Ligjit Nr 04/L-131, për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti, apo me konkretisht, për nenin 8 pika 2 të këtij ligji. Kërkojmë largimin e këtij neni diskriminues te këtij ligji, i cili parasheh që çdo person të ketë të paktën 15 vite përvoje pune para 1 janar 1999 nuk e gëzon të drejtën e marrjes së pensionit kontribut dhënës”, ka thënë Dreshaj.
Sipas tij, ky nen diskriminues për skemat pensionale duhet të largohet me urgjencë nga ligji aktual, përcjell Telegrafi.
“Ky nen duhet të largohet me urgjencë. Ju bëjmë apel qoftë pozitës dhe opozitës që të mbështesin këtë nismë për të mirën e vendit. Ndaj sot kjo konferencë duhet të jetë si shtytje për opinionin dhe deputetët e vendit”, ka thënë ndër të tjera Dreshaj. /Telegrafi/