Telegrafi

Drenovci nga libraria Dukagjini: Çdo vit e më shumë po shtohet interesimi për të lexuar

“Një shtëpi pa libra është si një dhomë pa dritare”, kishte thënë Horace Mann, reformues amerikan i arsimit.

Nëse pandemia ka ndikuar negativisht në çdo fushë të jetës, kjo nuk vlen edhe në fushën e leximit, pasi për shkak të mbylljes totale, kohës në dispozicion njerëzit “ngushëllimin” e gjenin tek librat.

Doruntina Drenovci nga libraria Dukagjini në një intervistë për Telegrafin ka shpalosur disa prej detajeve, nga blerja online e librave, shtimin e interesimit për lexim, etj.

Ajo tha që shitja e librave online në vitin 2020 ishte në kulmin e saj mirëpo edhe në vitin që e lamë pas kërkesat për blerjen e librave online ishin shumë të përafërta me ato të vitit të parë të pandemisë.

“Në mars të vitit 2020 kërkesat online normalisht janë rritur mjaft shumë, sepse ishim të mbyllur për shkak të pandemisë dhe të gjithë ne kemi pas shumë më shumë kohë dhe kjo ka ndikuar që të rritet interesimi për porosi online, ndërsa në vitin 2021, kërkesat janë mjaft të përafërta edhe online edhe për blerje fizike…”, tha ajo.

E në kuadër të kësaj, Drenovci tutje shtoi që interesimi për librat ekziston në të gjitha grup moshat, veçse zhanret që preferojnë t’i lexojnë ndryshojnë. Duke shtuar që titujt e preferuar nga adoleshentët janë shitur më së shumti.

“Të gjitha moshat për zhanre të caktuara janë mjaft të interesuar, për shembull, adoleshentët lexojnë më shumë stripa/manga, fantazi, fanta-shkencë. Pastaj moshat 20-25 letërsi bashkëkohore, moshat e tjera klasike e po ashtu moshat mbi 40 vjeç, biografi, histori etj. Pra, gjithmonë ka interesim për zhanre të caktuara nga mosha të ndryshme. Vlen të ceket që është shtuar frekuentimi fizik i adoleshenteve për zhanrin manga/stripa, ku nga një sasi e vogël e titujve kemi arritur që ta bëjmë një prej zhanreve më të furnizuar dhe me të shitur”, tregoi Doruntina.

Kurse sa i përket lexueshmërisë ajo thotë se çdo vit po shtohet interesimi për të lexuar.

“Mund të themi që çdo vit e më shumë po shtohet interesimi për të lexuar. Normalisht në këtë ndikon edhe ajo se çka ne mund të sigurojmë për klientët, ku në bazë të kërkesave të tyre edhe ne furnizohemi dhe kur ata gjejnë atë që duan, çdo herë e më shumë shtohen kërkesat tjera dhe kështu rritet edhe interesimi për të lexuar”, tha ajo.

Kurse në fund, ajo i shpalosi edhe top tre titujt më të kërkuar në këtë librari gjatë vitit 2021.

“Ka shumë tituj të kërkuar gjatë vitit, mirëpo top tre librat janë: It ends with us, Biografia e Frida Khalos, They both die at the end”, përfundoi Drenovci./Telegrafi/