Site icon Telegrafi

Drenori: Mbrëmë në Drenas pati tentim atentati

Kandidati i pavarur për kryetar të Drenasit, Xhavit Drenori ka pohuar se mbrëmjen e kaluar në Drenas, ka ndodhur një rast kriminal, siç e ka quajtur ai “atentat në tentativë”.

Kështu ka shkruar Xhavit Drenori në llogarinë personale në Facebook.

“Sonte nga ora 23:20 jam musafir në INTERAKTIV. Ndër temat: Mbarëvajtja e zgjedhjeve lokale në Drenas, Rezultatet e zgjedhjeve, Balotazhi: profilet e dy kandidatëve, Cili kandidat do duhej të përkrahej?! Si dhe një çështje ekskluzive rreth një rasti kriminal (atentat në tentative) mbrëmjen e kaluar në Drenas!!!”, ka shkruar ai në Facebook.

Ndërsa, Insajderi nga kampi i Drenorit ka marrë vesh se rasti ka ndodhur gjatë mbrëmjes të së hënës në rrugët e Drenasit.

“Rasti nuk ka qenë ndaj Drenorit por prej njërit prej bashkëpunëtorëve të tij, i cili mbrëmë është ndaluar duke shkuar në rrugë nga persona të panjohur” ka thënë një zyrtar i kampit të Drenorit.

Ai ka thënë se rasti është paraqitur edhe në Polici.

Insajderi ka kontaktuar komandantin e Policisë në Drenas, Driton Morina, por ai ka thënë se nuk ka informacion të tillë.

“Nesër në mëngjes mund të flasim sepse nuk kam informacion tani për tani”, ka thënë Dritoni.

Exit mobile version