Telegrafi

Drenori kritikon Lladrovcin: Po sillet si mbret në Drenas, kjo është shqetësuese

Ish-kandidati për kryetar të Drenasit, Xhavit Drenori ka thënë se në këtë komunë është duke ndodhur një ndërrim dalëngadalë i një keqqeverisje, por fatkeqësisht jo ajo e pritura.

Drenori në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, ka thënë se kryetari Ramiz Lladrovci po synon që gjithçka që lidhet me Drenas ta ketë në kontroll vetë.

“Lladrovci nuk ka fituar vetëm në zgjedhjet e fundit, pasi që i tërë skenari është bërë nga Prishtina “, u shpreh Drenori, shkruan Telegrafi.

Ai më tej ka theksuar se prej që ka ardhur në udhëheqje Ramiz Lladrovci,qytetarët nuk guxojnë as të ankohen për probleme.

“Mendësia e z.Lladrovci prej një “mbreti” për mua është shqetësuese”, tha Drenori.

Drenori ka konfirmuar që pasi që ka dhënë dorëheqje nga pozita e asamblesitit të Kuvendit Komunal në Drenas, tash e tutje do të jetë pjesë e shoqërisë civile.

“Hapësira e veprimit tim brenda asamblesë ka qenë shumë e ngushtë, dhe pastaj ka ardhur vendimi që të largohem”, u shpreh Drenori. /Telegrafi/