Jeton Zogiani është një prej aktorëve më të mirë të serialit ‘O sa mirë’ në saje të rolit të drenicakut.
Por, ai njihet edhe si komentues i gjendjes në Kosovë dhe ngjarjeve të përditshme.
Pas një ‘ofensive të talljeve’ me kandidatin e PDK-s për kryetar të Drenasit, Ramiz Lladrovcit, aktori ka reaguar duke thënë se po i bëhet një padrejtësi ish-luftëtarit të UÇK-së, transmeton Telegrafi.
“Mendoj që nuk është e drejtë kjo që po ndodh kundrejt Ramiz Lladrovcit, nuk duhet të lëshohemi deri në këtë nivel me gjëra kaq banale. Ramizi ka qenë një luftëtar i mirë dhe ka kontribuar për këtë liri që e gëzojmë sot dhe mbi të gjitha është familje e dëshmorëve, të paktën kjo duhet të çmohet. Secili njeri i ka mangësitë e veta në të shprehur dhe në të folur, jo çdo gjë duhet nxjerrë nga konteksti. Suksese të dy kandidatëve për Drenasin”, tha Zogiani.
Ndryshe, Lladrovci në balotazhin që do të zhvillohet të dielën do të ketë si kundërkandidat Isa Xhemajlajn e Nismës për Kosovën. /Telegrafi/