Site icon Telegrafi

Drenica u kthehet barazimeve

Një lojë e tillë e tyre ua ka mundësuar që të marrin një pikë, edhe pse kanë pasur rast të marrin edhe të triat. Nga një kundërzbritje në minutën 13’ Kastriot Rexha ka shënuar për epërsinë mysafire, kur nga afërsia preku rrjetën vendase. Vendasit nuk janë dënuar më shumë në pjesëlojën e parë. Sërish Rexha (18’) dhe Labinot Jetullahu ishin shumë pranë dyfishimit të epërsisë mysafire, por ishte Sadiku që ia mohoi këtë. Në minutën 40’ Besim Bajraktari i Drenicës, në vend të portës qëlloi shtyllën pingule.

Trajneri i Drenicës, Afrim Jashari, i cili në dy takimet e fundit në “Bajram Aliu” nuk arriti më shumë se barazimin tha se futbollistët e tij luanin me ngarkesë të madhe, për shkak të barazimit me Llamkos Kosovën javën e shkuar. “Futbollistët tanë u dogjën nga dëshira për të fituar. Ata luajtën me ngarkesë të madhe, por mund të them se edhe Trepça’ 89 luajti ndryshe nga takimet tjera dhe ishte e motivuar për shkak të humbjes nga Prishtina.

Sidoqoftë, rezultati është ky që është, pasi që ne krijuam shumë raste dhe nuk i shfrytëzuam”, tha i pari i bankinës kuqezi. Pjesa e dytë e lojës nisi me sulme të pareshtura të kuqezinjve dhe vetëm pas gjashtë minutave Arifaj gjuajti për të shënuar, por topin përfundoi pranë portës.

Mirëpo në minutën 60’ vjen goli i barazimit. Pas gjuajtjes nga këndi, para portierit Mangjolli krijohet tollovi e madhe nga e cila përfitoi Behrami dhe me gjuajtje të saktë shënoi për rezultatin 1:1. Në minutat e fundit të takimit mysafirët lëshuan rastin e mirë që të marrin pikët e plota, por Shpëtim Idrizi, në dy raste, e humbi betejën me portierin e Drenicës, Sadiku.

Trajneri i Trepçës, Fahredin Duraku, tha se kishin ardhur në Skenderaj për të fituar, por fati nuk ishte në anën e tyre. “Ne kemi ardhur në Skenderaj për tri pikë dhe normalisht që nuk jam i kënaqur me barazimin. Kemi luajtur mirë, kemi zhvilluar lojë atraktive, por pranuam gol të cilin nuk është dashur ta pranonim dhe në fund duhet të pajtohemi edhe më një pikë. Fuqinë e vet Trepça 89 do ta tregojë në takimet e ardhshme”, tha Duraku.

Drenica sezonin e shkuar kishte një seri prej 10 barazimeve të njëpasnjëshme, derisa ky ishte i dyti me radhë dhe i pesti këtë sezon. /Zëri/Telegrafi/ 

Exit mobile version