Drenica është rikthyer te fitoret në BKT Superligë, pasi në xhiron e 11-të ka mposhtur Dukagjinin e Klinës me rezultat të pastër 2-0.
Kuqezinjtë nga Skenderaj në këtë takim erdhën pas humbjes 2-1 nga Gjilani dhe kërkonin medoemos të riktheheshin te fitoret.
Mysafirët krijuan një rast të mirë shënimi me anë të Chibuezes, por që goditja e tij shkoi jashtë portës.
Drenica në minutën e 36-të fitoi penallti, pasi Ilir Syla ndërhyu në Osman Mëziun dhe mbrojtësi i klinasve u ndëshkua me karton të kuq.
Nga pika e bardhë i saktë ishte braziliani Denisson duke kaluar Drenicën në epërsi 1-0.
Kuqezinjtë shënuan disa minuta më vonë për 2-0 me anë të Baton Zabërgjës, por që goli u anulua për pozitë jashtë loje.
Dominimi i Drenicës vazhdoi edhe në pjesën e dytë, teksa 20 minuta para fundit shënuan edhe golin e qetësisë.
Ishte përsëri sulmuesi brazilian Denisson që realizoi një gol spektakolar për ta ngritur në 2-0 epërsinë e skuadrës së tij.
Drenica deri në fund pati edhe disa raste të mira shënimi, por që gola më nuk pati.
Me këtë fitore, Drenica ngritët në pozitën e parë në tabelë me 20 pikë.
Në anën tjetër, Dukagjini mbetet në vendin e tetë me 10 pikë.
Ndeshjen e ardhshme Drenica e zhvillon në udhëtim te Prishtina, ndërkohë Dukagjini pret Gjilanin. /Telegrafi/