Telegrafi

Drenica mposht Ballkanin, ngjitet në renditje

Drenica ka arritur të shënojë fitore përballë Ballkanit me rezultat 2-1.

Kuqezinjtë nuk e nisën mirë takimin pasi ishte Ballkani që e diktonte ritmin, ndërsa kishte rast të mirë me Berat Hysenin.

Zhvillohej minuta e 25-të kur Drenica kaloi në epërsi.

Uran Shala në tentim për ta larguar topin e dërgoi në portën e tij.

Pjesa e parë u mbyll me këtë rezultat, ndërsa me të filluar e dyta kuqezinjtë ngritën shifrat.

Kreshnik Uka shënoi për 2-0 në një kundërsulm.

Ballkani u kthye në lojë kur Jetmir Topalli shënoi në minutën e 75-të.

Deri në fund mysafirët provuan të barazojnë, por pa sukses.

Me këtë fitore Drenica ngjitet në kuotën e 12 pikëve dhe është në vendin e katërt, ndërsa Ballkani mbetet i teti me tetë pikë. /Telegrafi/