Telegrafi

Drenica i kthehet fitores pas katër ndeshjeve, mposht Ferizajn

Drenica ka fituar në shtëpi me rezultat të pastër 3-0 ndaj Ferizajt në ndeshjen e vlefshme për javën e 29-të në Ipko Superligën e Kosovës.

Klubi nga Skenderaj i është kthyer fitores pas katër ndeshjeve në Superligë dhe ka shtuar gjasat për mbetje në kategorinë superiore.

Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me dominim të vendasve, të cilët arritën të shënojnë edhe dy gola.

Goli i parë erdhi në minutën e tetë me anë të Alban Shillovës, i cili shënoi për 1-0, ndërsa një minutë më vonë ishte Hasan Hyseni që shënoi për 2-0.

Në pjesën e dytë përsëri ishte Drenica më e mirë dhe arriti ta shënojë edhe një gol tjetër për të siguruar fitoren.

Goli i vetëm në këtë pjesë erdhi në minutën e fundit të ndeshjes dhe ishte Shillova që vulosi rezultatin përfundimtar 3-0.

Pas kësaj fitore, Drenica renditet e shtata me 38 pikë, ndërsa Ferizaj i dhjeti me 26 pikë. /Telegrafi/