Telegrafi

Drenica fiton trilerin e pesë golave ndaj Trepçës ’89

Drenica ka fituar me rezultat 3-2 trilerin ndaj Trepçës ’89 në takimin e vlefshëm për javën e 14-të në Ipko Superligën e Kosovës në futboll.

Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me shumë raste nga të dyja skuadrat, të cilët arritën ta shënojnë edhe nga një gol nga penalltia.

Të parët në epërsi kaluan vendasit me anë të Arsen Sykaj (13′) për 1-0, ndërsa Leart Emini (31′) barazoi shifrat në 1-1.

Në pjesën e dytë, përsëri të dy skuadrat filluan lojën e mirë dhe rastet e krijuara, teksa arritën t’i shënojnë nga një gol të shpejt.

Përsëri të parët ishin drenicasit që shënuan në minutën e 52-të me anë të Hasan Hysnit për 2-1, ndërsa Albert Kaqiku (57′) realizoi për 2-2.

Ky gol i barazimit mobilizoi vendasit, të cilët filluan sulmet në kërkim të golit të fitores, të cilin e gjetën në minutën e 86-të me anë të Argjend Bardhit, i cili vulosi fitoren me rezultat përfundimtar 3-2.

Pas kësaj fitore, Drenica ngjitet në vendin e gjashtë me 20 pikë, ndërsa 89-shi renditet i teti me 19 pikë.

Në ndeshjen e radhës, kuqezinjtë udhëtojnë te Gjilani, ndërsa mitrovicasit e presin Ballkanin. /Telegrafi/