Zhvillimi i këtyre ndeshjeve ishte në dyshim, pasi qipriotët refuzuan javën e kaluar të vijnë në Kosovë që të luajnë ndeshjen e parë. Qipriotët u arsyetuan se shteti i tyre nuk njeh Kosovën dhe se nuk ndihen të sigurt të luajnë në Kosovë, shkruan sot Koha Ditore.
Konfederata Evropiane e Volejbollit (CEV) në vend që të dënonte qipriotët që refuzuan të udhëtojnë në Kosovë, mori vendim që ndeshjet të luhen në terren neutral, përkatësisht në Sofje të Bullgarisë. Por vendimi i CEV-it parashikonte që ndeshjet të luhen pa simbole shtetërore. Kjo për Drenicën ishte e papranueshme. Në fund u arrit kompromisi që ndeshjet të luhen në terren neutral, në Sofje, por me të gjitha simbolet shtetërore.
Ndeshjet ndërmjet Drenicës e Pokka Karavas do të luhen këtë fundjavë. Ndeshja e parë do të luhet të shtunën (18:00) në kompleksin sportiv në “Gorna Malina”, në afërsi të Sofjes. Ndeshja e dytë do të luhet në të njëjtin vend, të dielën (14:00).