Drenica ka marrë pikë të plota përballë Llapit (4-2) në ndeshjen e xhiros së 33-të në Superligën e Kosovës në futboll që u zhvillua në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj.
Kaluan vetëm katër minuta lojë dhe Drenica kaloi në epërsi falë një autogoli nga Anthony Monin.
Reagimi i mysafirëve ishte i menjëhershëm duke e barazuar rezultatin përmes Amir Hossari dhe me shifra identike skuadrat shkuan në pushim.
Në fillim të fraksionit të dytë (47’), vendasit shënuan përsëri me anë të Donald Rapo duke e rikthyer epërsinë.
Tjetër gol për nikoqirët realizoi Osman Mëziu (80’), reagimi i vizitorëve nuk mungoi (84’) dhe rezultati sërish u ngushtua.
Porse, Gentrit Dumani shënoi golin e katërt të vendasve (87’) duke e ngritur kështu sërish avantazhin me dy gola epërsi.
Me këtë fitore, Drenica është ngritur në pozitën e pestë me 41 pikë, dy më shumë se Llapi dhe tri më shumë se Feronikeli. /Telegrafi/