Telegrafi

Drenasi shpall ‘Qytetar nderi’ zv/presidentin e PE-së, Rainer Wieland

Komuna e Drenasit edhe zyrtarisht të shtunën, në një ceremoni të organizuar, i ka dorëzuar titullin “Qytetar nderi i Komunës”, Zëvendëspresidentit të Parlamentit Evropian, Rainer Wieland.

Fillimisht, kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci i shoqëruar nga Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari dhe stafi i tij, kanë pritur zëvendëspresidentin Wieland në zyre, ku Lladrovci ka njoftuar për punën dhe projektet e Komunës së Drenasit.

Pastaj në seancën e Kuvendit të Komunës ku ishin të pranishëm asamblistë të Kuvendit, përfaqësues të subjekteve politike, fetare, kulturore e diplomatike, edhe zyrtarisht i është dorëzuar çmimi “Qytetar nderi i Komunës” .

Seancën Solemne e ka hapur kryesuesi i Kuvendit të Komunës, Labinot Halilaj i cili edhe ka paraqitur një historik të shkurtër të veprimtarisë së Wielandit.

Pastaj kryeministri Haradinaj ka thënë se shpallja e qytetar nderi i Komunës së Drenasit, e nderon jo vetëm Wielandin, por nderon gjithë Kosovën. “Kosovaret kanë respektin me të madh për popullin gjerman dhe përveç kësaj ne jemi evropianë. Përgëzoj kryetarin Ramiz Lladrovci për veprën e qëlluar, për nderin që ai dhe Komuna po i bënë Rainerit, që është edhe nënkryetar i Parlamentit Evropian me dhënien e titullit Qytetar Nderi i Komunës së Drenasit”, ka thënë Haradinaj.

Ndërsa kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci në fjalimin e tij ka falënderuar Wielandin për angazhimin e tij për qytetarët e Drenasit dhe të Kosovës.

“Sot jam qytetari më krenar i Drenasit, duke iu pasur edhe juve qytetar nderi. Kosova tashmë është e lirë, Drenasin do të bëjmë qytet ku qytetarët kanë mundësi të bëjnë jetë dinjitoze. Ju e dini se në Drenicë filloi lufta e Kosovës, por pa ndihmën tuaj nuk do të mund të ishim të lirë. Ne presim që të hapen rrugët për liberalizimin e vizave. Unë kam besim të madh tek ju se do të bëni më të mirën e pamundshme për ne qytetarët e Kosovës. Lus që të përdorni autoritetin tuaj që qytetarët e Kosovës të mos mbesin të izoluar, ndërsa ne do të vazhdojmë ta zbatojmë ligjin”, ka thënë Lladrovci mes tjerash në fjalimin e tij.

Zëvendëspresidenti i PE-së, Rainer Wieland, tha se ndihet i nderuar e mbivlerësuar me çmimin e dhënë dhe se ndien obligim për të intensifikuar punën për Drenasin dhe Kosovën.

“Është obligim për mua të intensifikoj gjithë punën që kam bërë deri më tash. Ndihem i nderuar që vendimi për këtë çmim është marrë unanimisht nga Kuvendi Komunal. Investimi në edukim është investimi më i mirë që mund të bëni. Ju përgëzoj për të rinjtë tuaj që vijnë në Gjermani, njerëz me qëndrime të çarta e që ishin ambasadorët më të mirë për vendin tuaj”, tha mes tjerash Wieland, duke ju referuar nxënësve të Drenasit që kanë bashkëpunim me shkollat gjermane.

Më pas kryetari Lladrovci e Wielandi, të shoqëruar me delegacionin gjerman, kanë vizituar Shkollën e Mesme Gjimnazin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” ku edhe kanë bashkëbiseduar me nxënësit e kësaj shkolle, shkollë e cila ka edhe bashkëpunim të ndërsjellë me shkollat gjermane që nxënësit nga Drenasit vizitojnë shkollat e tyre dhe anasjelltas.

Kryetari Lladrovci ka shoqëruar Wielandin edhe për nga një kafe në sheshin e qytetit, pastaj kanë vazhduar vizitën në kompleksin e Jasharëve në Prekaz dhe kishën katolike “Shën Abrahami” në Llapushnik.