Telegrafi

Dreka zyrtare para finales, FSHF mbledh drejtuesit e UEFA-s dhe legjendat e futbollit evropian

Federata Shqiptare e Futbollit ka organizuar sot një drekë me miqtë e ardhur me rastin e finales së Ligës së Konferencës, duke filluar që nga Presidenti i UEFA-s, Alexander Ceferin, zyrtarë të lartë të qeverisë së futbollit evropian, presidentë federatash, drejtues dhe legjenda të klubeve finaliste, Roma dhe Feynoord.

Në këtë drekë ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, Ministrja e Arsimit, Rinisë dhe Sportit, Evis Kushi, Ambasadori shqiptar i Ligës së Konferencës, Lorik Cana, Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, Presidenti i Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut, Muamed Sejdiu, si edhe drejtues e anëtarë të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së.

Në një atmosferë të shkëlqyer dhe tejet të ngrohtë, Presidenti Duka ka falënderuar UEFA-n për besimin që i dha FSHF-së si partner zyrtar i finales së Ligës së Konferencës, teksa ka vlerësuar edhe mbështetjen e qeverisë dhe Kryeministrit Rama për organizimin sa më të mirë të kësaj ndeshjeje historike ndërkombëtare, AS Roma-Feynoord, e para e këtij niveli që zhvillohet në vendin tonë.

Përveç zyrtarëve më të lartë të UEFA-s këtij takimi iu bashkuan edhe legjenda e Romës, Françesko Totti, dhe ish-futbollistët e famshëm Luigi Di Biagio, Aldair Nascimento dos Santos, Vincent Candela. /Telegrafi/