Telegrafi

Drejtuesit e Real Madridit të pakënaqur me Ancelottin pas barazimit në derbi ndaj Atleticos

Real Madridi nuk e nisi sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme dhe përkundër faktit që ngushtoi diferencën me Barcelonën në vetëm tri pikë, ‘Los Blancos’ mbetën me një shije të hidhur pas barazimit në derbin lokal ndaj Atletico Madridit të dielën.

Ky barazim ishte i treti për madrilenët në katër udhëtimet si mysafir këtë sezon, pasi më herët kishin barazuar ndaj Mallorcas dhe Las Palmas.

Fajtori kryesor për këtë situatë, të paktën tek Real Madridi po konsiderohet trajneri Carlo Ancelotti.

Relevo ka raportuar se ‘zërat autoritar’ brenda klubit nuk janë të bindur nga disa vendime të tij dhe mendojnë se skuadra duhet të luajë më mirë me burimet që ka në dispozicion.

Këto dyshime fokusohen më së shumti pas barazimit ndaj Atletico Madridit në derbi, aty ku Reali pësoi gol në sekondat e fundit të takimit, ndërsa Lucas Vazquez dhe Fran Garcia u inkuadruan në lojë duke zëvendësuar Luka Modric dhe Rodrygon.

Ancelotti e mbrojti vendimin që mori pas ndeshjes, duke thënë se do ta bënte të njëjtën sërish. Ai nuk ka shumë opsione në bankë, por mund ta kishte përdorur Arda Guler.

Tekniku italian nuk e pati të lehtë këtë fillim sezoni, pasi disa lojtarë u lënduan dhe Kylian Mbappes i duhet ende kohë për t’u përshtatur me ekipin dhe sistemin e ri të lojës.

Zëvendësimet e Ancelottit janë një temë diskutimi në hierarkinë e klubit të cilët besojnë se aktivizimi i tepërt i Modric, mungesa e minutave për Arda Guler, politika e tij e rotacioneve që të gjitha janë arsye për ta vënë në pikëpyetje trajnerin./Telegrafi/