Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Arben Fetahu dhe Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku, kanë pritur në një takim ambasadorin norvegjez në Kosovë e Shqipëri, Jens Erik Grondahl, ku i pranishëm ishte edhe Drejtori i Ligës Unike, Dren Zatriqi.
Në këtë takim ambasadori norvegjez është njoftuar për Ligën Unike, si prodhim mes FBK-së dhe Federatës Shqiptare të Basketbollit. Ai e ka mirëpritur idenë e formimit të kësaj lige dhe ka ofruar përkrahjen e tij për këtë ligë, duke u shprehur i ngazëllyer me këtë ide.
Drejtuesit e FBK-së e kanë njoftuar po ashtu ambasadorin norvegjez për planet me kategoritë e reja, basketbollin femëror dhe minoritet në Kosovë.
Fetahu dhe Dushku kanë treguar punën që po bën Federata me gjeneratat e reja dhe basketbollin e femrave, si dhe masivizimin e basketbollit në Kosovë. Ata i kanë treguar për planet që ka FBK-ja për të ardhmen, ku e interesuar mund të jetë edhe Ambasada Norvegjeze në Prishtinë, që deri më tani ka përkrahur shumë projekte në Kosovë.
Jens Erik Grondahl është shprehur i entuziazmuar për punën që po e bën Federata, si me gjeneratat e reja, po ashtu me basketbollin e femrave, masivizimin dhe projektet me minoritete. Ai ka përshëndetur formimin e Ligës Unike, duke shpresuar se do të jetë një ligë sa më e suksesshme dhe të jetë një garë kompetitive mes dy vendeve.