Site icon Telegrafi

Drejtoria për Mbrojtje të Mjedisit, ka ngritur shqetësime për gjendjen e ajrit në Obiliq

Drejtoria për Mbrojtje të Mjedisit në Obiliq duke u bazuar në inspektimet e saj, si dhe ankesat e banorëve gjatë dy ditëve të fundit, ka shprehur shetesime serioze për gjendjen e ajrit në Obiliq.

Në një njoftim nga komuna e Obiliqit tregohen arsyet që shkaktuan këtë shqetësim për ndotje të ajrit.

“Duke u mbështetur në Ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit, Ligjin për Zonën e Rrezikuar Mjedisore të Obiliqit Nr.05/L-044, Ligjin për Mbrojtjen e Ajrit nga Ndotja, Direktivën 2001/80/EC, si dhe Udhëzimin Administrativ mbi Rregullat dhe Normat e Shkarkimeve në Ajër nga burimet e palëvizshme të ndotjes, DMM ka shprehur shqetësime serioze për gjendjen e ajrit në Obiliq”, thuhet në njoftim.

Tutje në njoftim thuhet se ndotja e ajrit ka arritur nivele shumë të larta në Obiliq.

“Që nga data 20.08.2024 e deri më sot, ndotja e ajrit, veçanërisht pluhuri, ka arritur nivele shumë të larta në zonën e Obiliqit, për shkak të aktiviteteve në termocentralet “Kosova A dhe B”. Për këtë arsye, Drejtoria ka shprehur shqetësimet e saj për ndotjen e ajrit”, thuhet në njoftim.

Veç kësaj, DMM kërkon që sa më parë të njoftohet publiku për gjendjen e ajrit.

“Drejtoria për Mbrojtje të Mjedisit kërkon nga Agjencia për Mbrojtje të Mjedisit dhe KEK-u që të nxjerrin një raport të detajuar për gjendjen e krijuar nga TC A dhe TC B për datat e lartpërmendura dhe të njoftojnë publikun për gjendjen aktuale të ajrit në Obiliq”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, Drejtoria është duke monitoruar vazhdimisht situatën dhe njofton se nëse vazhdohet me tejkalimin e parametrave të lejuar, do të merren masa sipas ligjeve në fuqi. /Telegrafi/

Exit mobile version