Site icon Telegrafi

Drejtoria e Shëndetësisë në Prizren inkurajon gratë për kontrolle të rregullta për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit

Drejtoria e Shëndetësisë në Komunën e Prizrenit, të mërkurën, në sallën e Kuvendit të Komunës, ka realizuar takimin me gratë në kuadër të përpjekjeve për ndërgjegjësimin lidhur me kancerin e gjirit.

Në këtë takim profesionistët shëndetësorë, zyrtarët e lartë komunalë dhe të mbijetuarat e kancerit kanë shpalosur informata të vlefshme për luftën ndaj kancerit të gjirit.

Luljeta Tejeci, në cilësinë e të mbijetuarës së kancerit në pankreas ka inkurajuar gratë e pranishme që mos ta injorojnë rrezikun nga kanceri i gjirit, dhe të kontrollohen rregullisht. Në të njëjtën kohë ka theksuar se ka nevojë edhe për solidaritet e përkrahje për të gjitha gratë e prekura nga kanceri.

“Duhet të angazhohemi bashkë, në harmoni ti përkrahim edhe gratë tjera për shërim nga kanceri”, ka thënë ajo.

Drejtori i Shëndetësisë, Simir Krasniqi ka theksuar se muaji tetor shërben si një periudhë ndërgjegjësimi e reflektimi për gjithë shoqërinë lidhur me kancerin e gjirit.

Ai ka theksuar se dignostifikimi i hershëm është çelësi i parandalimit të kësaj sëmundjeje.

“Drejtoria e Shëndetësisë fton të gjitha gratë që të bëjnë mamografi në QKMF. Shërbimi ofrohet pa pagesë, jo vetëm gjatë muajit tetor, por gjatë tërë vitit. Gjatë tetorit do të punohet edhe ditëve të fundjavës”, ka thënë ai.

Ndërsa doktoresha Vlora Sertolli ka mbajtur një ligjëratë, duke ofruar hollësi të shumta lidhur me këtë sëmundje.

“Britma jonë e tetorit, e cila duhet të vazhdojë përgjatë tërë vitit, është për kauzën që të kemi një zbulim sa më të hershëm, në mënyrë që mbijetesa të rritet dhe në fund secilës paciente që mund ta ketë një fat të tillë ti kthehet buzëqeshja në fytyrën e saj në fund të trajtimit”, ka thënë Serolli.

Sipas saj, kanceri i gjirit është një nga format më të shpeshta të kancerit tek gratë, teksa zbulimi dhe diagnostikimi i hershëm i rrit ndjeshëm shanset për trajtim të suksesshëm.

Statistikat, sipas Sertollit, tregojnë se një nga tetë gra mund të zhvillojë kancer të gjirit gjatë jetës së saj, por se kur zbulohet në faza të hershme, shkalla e mbijetesës është mbi 90%.

Muaji tetor në të gjithë  botën është muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, për të rritur vëmendjen dhe mbështetjen lidhur me ndërgjegjësimin, zbulimin e hershëm, trajtimin, si dhe kujdesin paliativ për këtë sëmundje.

Në këtë muaj krahas shpërndarjes së informatave të rëndësishme, gratë inkurajohen që të bëjnë kontrolle të rregullta me qëllim të parandalimit dhe zbulimit të hershëm të kancerit të gjirit. /Telegrafi/

Exit mobile version