Telegrafi

Drejtoria e Inspekcionit në veri të Mitrovicës ndalon ndërtimin e objekteve pa leje

Kryetari i Mitrovicës Veriore, Erden Atiq ka bërë të ditur se Drejtoria e Inspekcionit sot ka ndaluar punimet në vendpunishtet në të cilat kishte nisur ndërtimi i objekteve pa përfillur procedurat ligjore.

Atiq ka shtuar se punimet nuk do të vazhdojnë deri në plotësimin e kritereve sipas ligjeve të Republikës së Kosovës.

“Drejtoria e Inspekcionit nga komuna e Mitrovicës Veriore ka vizituar vendpunishtet në të cilat kanë filluar ndërtimet e objekteve pa përfillur procedurat ligjore. Në mungesë të dokumentacioneve, janë vendosur shiritat me të cilat ndalohet vazhdimi i punëve deri në plotësimin e kritereve sipas ligjeve të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Atiq.

Kryetari Atiq më tej ka inkurajuar qytetarët, që t’i përfillin rekomandimet e institucioneve dhe për çdo investim të tyre të plotësohen kriteret të cilat parashihen me ligj, në të kundërtën  siç ka theksuar ai “drejtoria e inspekcionit do të veproj konform ligjeve në fuqi”. /Telegrafi/