Site icon Telegrafi

Drejtori i ZRRE-së: Kosova A duhet të mbyllet, vendi rrezikohet nga kollapsi energjetik

Në mungesë të kapaciteteve të reja energjetike, pas mbylljes së termocentralit Kosova A, Kosova rrezikohet nga kollapsi energjetik. Kështu bëri të ditur kryeshefi ekzekutiv i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, Petrit Pepaj, gjatë fjalimit të tij në konferencën e organizuar nga Instituti GAP dhe Instituti i Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare, të mbajtur dje në Prishtinë.

‘Që nga viti 2005, ne kemi folur për Kosovën C (tani Kosova e Re). Ka pasur dinamikë të punës, ka pasur pakënaqësi. Është viti 2019, dhe ne jemi me kapacitete të njëjta energjetike. Do të thotë, nuk kemi zhvillim në aspektin e burimeve te energjisë, të cilat garantojnë furnizimin me energji elektrike’, theksoi Pepaj, raporton Telegrafi. Ai shtoi se duhet të vazhdohen investimet në eficiencë të energjisë dhe në burime të riperterijshme të energjisë, mirëpo këto nuk garantojnë sigurinë e furnizimit me energji elektrike.

‘Kosova A duhet të mbyllet, dhe ka qenë në plan të mbyllet në vitin 2017. Jetëgjatësia e saj u rrit dhe është lejuar të punojë deri në ndërtimin e një kapaciteti të ri energjetik, ose përndryshe Kosova do të ketë kollaps energjetik.’, theksoi ai tutje.

“Ndikimet në ambient, dëmet që na shkaktohen, janë të njohura dhe të elaboruara në shumë projekte, por ndikimi në ekonomi, ndikimi në zhvillimin e vendit, sa po na kushton?’, pyeti Pepaj të pranishmit, teksa po sqaronte mbi ndikimet negative të Kosovës A.

Pepaj theksoi humbjet e mëdha që bizneset dhe ekonomitë familjare kanë pësuar për shkak të mungesës së furnizimit me energji elektrike. ‘Kjo ka ndodhur pikërisht për shkak të mungesës së kapaciteteve të mjaftueshme, për të plotësuar kërkesën’, shtoi ai.

Ndryshe, raporte të USAID tregojnë se çdo vit bizneset Kosovare humbin më shumë se 300 milion euro, të shkaktuara nga furnizimi me energji elektrike.

Për më shumë, të dhëna të ZRRE-së tregojnë se vetëm katër vitet që po lëmë pas, Kosova ka importuar energji elektrike me vlerë prej 180 milion eurosh. Për periudhë 10 vjeçare, Kosova importoi rrymë me vlerë mbi gjysmë miliard euro, thuhet në raporte.

 

Exit mobile version