Telegrafi

Drejtori sportiv i PSG-së, Leonardo: Kemi filluar bisedimet me Mbappen e Neymar dhe dy të tjerë për rinovim

Drejtori sportiv i PSG-së, Leonardo, ka folur për rinovimet me lojtarët e rëndësishëm të klubit si Neymar, Kylian Mbappe, Angle Di Maria dhe Juan Bernat.

Leonardo ka shfaqur optimizëm, sidomos për dy yjet e ekipit, duke thënë që bisedimet vetëm kanë filluar.

“Jemi duke folur prej kohësh për kontratën e Mbappe. Fillimisht për të qenë të qartë në lidhje me pozicionin tonë dhe atë se çfarë duam. Tani besoj se jemi duke arritur në një pikë ku duhet marrë një pozicion dhe një vendim, por jemi duke zhvilluar një dialog të mirë. E njëjta gjë vlen edhe për Neymarin”, ka thënë Leonardo, duke e bërë të çartë se marrëveshja me brazilianin do të jetë më e lehtë.

Ai bëri të ditur edhe qëllimin për të mos hequr dorë nga Angel Di Maria, kontrata e të cilit skadon në fund të sezonit, ashtu si dhe për Juan Bernat.

“Ashtu si me Neymar dhe Mbappe, jemi duke hyrë në dialog mjaft pozitiv edhe me Di Maria e Bernat”.

“Janë katër raste që po trajtojmë në të njëjtën kohë, dhe ideja është që t’i mbyllim rinovimet sa më shpejt të jetë e mundur, pasi ne si klub duam t’i mbajmë të gjithë”, nënvizoi Leonardo.

Në fund drejtori foli edhe për të ardhmen e Julian Draxler, duke thënë se është lojtar i rëndësishëm dhe situata e tij do të dihet së shpejti. /Telegrafi/