Gjilani ka arritur fitore të mundimshme ndaj Besës së Pejës, duke triumfuan në fund me rezultat minimal 1-0.
Pas ndeshjes është deklaruar edhe Drejtori Sportiv i klubit, Sallah Sherifi, i cili po e udhëheq Gjilanin në ndeshjet e fundit, në mungesë të trajnerit Gentjan Mezani.
Sipas Sherifit kundërshtari është skuadër solide dhe tregon se i është frikësuar.
“Jam i kënaqur me futbollistët. Besa është një skuadër solide, i jam frikësuar skuadrës pejane. Na kanë sjellë shumë vështirësi gjatë ndeshjes. I përgëzoj futbollistët për fitoren e arritur”
“Me fitoren ndaj Prishtinës dhe Besës ne futemi në ecuri drejt suksesit. Tashmë i kemi dy ndeshje si vendas ku do të fokusohemi te kundërshtarët që i kemi. Nuk jam shumë i kënaqur pasi që kemi mundur të marrim më shumë pikë”, tha Sherifi për ‘Art Sport’.
Gjilani me këtë fitore pozicionohet në vendin e tretë me 16 pikë të mbledhura, kurse Besa e Pejës zë vendin e fundit me vetëm 5 pikë të mbledhura. /Telegrafi/