Drejtori i spitalit të Vushtrrisë, Mursel Pllana në një prononcim për Telegrafin se ka thënë se situata në ditët e fundit është shumë më e qetë dhe se numri i të hospitalizuarëve me COVID-19 është duke rënë.
Pllana tregoi se 27 pacientë për momentin janë duke u trajtuar në këtë spital, të prekur me virusin COVID-19.
Sipas tij, 23 pacientë janë me oksigjeno-terapi, ndërsa një pacient është në intubim.
“Gjendja është shumë më e qetë. Numri i pacientëve ka filluar të bie si dhe vizitat. Për momentin kemi 27 pacientë të shtruar me COVID-19, të gjithë të konfirmuar. Ndërsa, 23 pacientë janë me oksigjeno–terapi dhe një në intubim”, ka thënë Pllana.
Ai foli edhe për gjendjen e infermierëve të cilët ishin infektuar me COVID-19, e që sot siç tha Pllana të gjithë janë të shëruar.
“Të gjithë infermierët janë shëruar”, tha drejtori i spitalit, Pllana.
Ndryshe, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik bën të ditur se numri total i rasteve pozitive është 13.601 raste nga 51.669 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 533 raste të vdekjes.
IKSHPK njofton se numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 9.792 raste, kurse numri i rasteve aktive është 3.276. /Telegrafi/