Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Bujar Gashi ka folur për rastet që janë infektuar me coronavirus e që janë nga kjo komunë.
Ai tha se komuna fokusin kryesor e ka në Qendrën e Studentëve ku kanë ardhur një numër i madh i bashkatdhetarëve e që tashmë janë në karantinë.
“Dje pranuam informatën se edhe tre qytetarë të Prishtinës iu shtuan numrit të të prekurve me COVID-19. Tani kemi qytetarë të infektuar në afërsisht pesë lagje të Prishtinës. Angazhimi jonë nga fillimi ka qenë në QMF por tash fokusi është në Qendrën Studentore ku çdo ditë po rritet numri i të karantinuarve”
Gashi ka treguar edhe nga cilat lagje të Prishtinës vijnë të prekurit me coronavirus, përcjell Telegrafi.
“Rastet e para kanë qenë në lagjen Taukbahqe, tani janë shtrirë në Mahallën e Muhagjerëve, lagjen Arbëria, lagjen e Spitalit dhe në lagjen afër Shkollës Teknike – rruga “Haxhi Zeka”. Disa prej të prekurve janë raste kontakti, e për disa tjerë nuk kemi informata”.
Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës thotë se gjendja e të gjithë të prekurve nga Prishtina është stabile.
Ai thotë se janë marrë masa duke vendosur tendën pranë Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në mënyrë që të dyshuarit të mos kenë shumë kontakte me persona tjerë./Telegrafi/