Telegrafi

Drejtori i Shëndetësisë në Podujevë: Furnizimet nga shteti nuk i kemi sa po ofrojmë shërbime

Drejtori i Drejtoriatit të Shëndetësisë në Komunën e Podujevës, Zaim Thaçi në një lidhje direkte për RTV Dukagjinin ka thënë se presin më shumë ndihmë nga shteti për mbrojtje nga koronavirusi.

Ai ka thënë se është një sfidë e re për shëndetësinë në këtë komunë rasti i prekur me coronavirus nga kjo komunë, përcjell Telegrafi.

“Kemi epidemiolog në komunën  tonë dhe jemi duke ndjekur këshillat nga qeveria. Jemi duke hulumtuar familjarët dhe lëvizjet e mundshme që ka bërë i prekuri me coronavirus”.

Sa i përket masave mbrojtëse, Thaçi thotë se Komuna e Podujevës është përgatitur më herët por thotë se mundësitë janë shumë të kufizuara.

“Kemi deri diku furnizimet tona, por nuk e di se deri kur do t’ia dalim me këtë furnizime”.

Drejtori i Drejtoriatit të Shëndetësisë në Komunën e Podujevës thotë se inkurajuese ka qenë ndihma nga shteti prej 90 maskave, 40 uniformave dhe 40 litrave dezinfektues.

“Jemi të shtrirë me një QKMF, 4 QKM dhe 19 AMF,  shto këtu edhe pikën doganore që duhet monitoruar në 24 orë me 4 ekipe shëndetësore, po na vështirëson situatën. Furnizimet nuk i kemi sa po ofrojmë shërbime”, tha ndër të tjera drejtori Zaim Thaçi./Telegrafi/