Storia e Samsung Galaxy Fold shpejt u shndërrua në një dramë. Telefoni inteligjent i palosshëm – i pari i lansuar në botë – magjepsi të gjithë derisa njësitë filluan të mos funksionojnë dhe Samsung duhej të anulojë planet e lansimit.
Kompania ende po punon për rregullimin e problemeve, dhe një rilansim zyrtar ende nuk është bërë publik, por thashethemet sugjerojnë se nuk duhet të jetë larg.
E gjithë kjo ndërsa Samsung mund të punojë në një, ndoshta dy pajisje të tjera të palosshme.
“Ishte e turpshme. E kam shtyrë atë përpara se të ishte gati” – tha DJ Koh, CEO i Samsung.
Koh, pranoi në një takim në Seul me anëtarët e mediave, se ai e shtyu pajisjen në treg para se të ishte gati.
Samsung donte të bënte një gjurmë në botën e telefonave, që gjatë dy viteve të fundit ishte e dominuar nga përmirësimet në kamera dhe ndryshimet e vogla, duke e bërë atë një segment të shurdhër.
“Unë e pranoj se kam humbur diçka në telefonin e palosshëm, por ne jemi në procesin e rimëkëmbjes. Për momentin, më shumë se 2,000 pajisje po testohen tani në të gjitha aspektet. Ne i definuam të gjitha problemet. Disa çështje nuk i menduam, por falë vlerësuesve tanë, testimi në masë është në vazhdim” – deklaroi Koh.
Ndërkohë, konkurrenti kryesor i tyre, Huawei, ka shtyrë poashtu lansimin e Mate X të palosshëm.
Ndryshe nga Galaxy Fold, Mate X është një telefon 5G dhe arsyeja, sipas Huawei, për vonesën, është lansimi i ngadalshëm i shërbimeve 5G në mbarë botën.
Samsung është duke u fokusuar në rregullimin e problemeve që rëndojnë Galaxy Fold dhe po punon në pasardhësin tjetër të pajisjeve të tyre të palosshme. /Telegrafi/