Site icon Telegrafi

Drejtori i ri i BKK-së Sinan Kajtazi: Kam kërcyer për 20 vite si balerin, e kuptoj më mirë se kushdo se sa kanë nevojë për përkrahje në vendin tonë

Për fushën e artit në tërësi dhe Baletin nuk ka dyshim se është një nga emrat më me zë që ka pushtuar skenën prej më shumë se 20 vitesh.

Duke ushtruar njërën ndër gjinitë më të bukura të artit, Sinan Kajtazi ka arritur të jetë një nga balerinët më të dalluar në BKK të gjeneratës së pasluftës.

I rritur nën frymën e artit – Kajtazi përveçse gëzon një dashuri të madhe për baletin, është një muzikant i shquar duke luajtur kështu në disa instrumente.

Sinan Kajtazi (Foto: Facebook)

E për të mos lënë në harresë, artisti nga Mitrovica ka qenë në mbi 70 premiera baleti, ndonëse këto shfaqje i ka performuar edhe në qendra të ndryshme jashtë trojeve shqiptare.

Sukseset dhe arritjet e mëdha që ka korrë prej vitesh në këtë fushë e kanë bërë që tanimë të jetë në krye të Baletit Kombëtar të Kosovës.

Lexo po ashtu Sinan Kajtazi zgjidhet drejtor i ri i Baletit Kombëtar të Kosovës

Me pozitën e drejorit të BKK-së, të cilën e mori disa javë më parë përsipër, Sinani premton përkrahje për të rinjtë e dashamirët e këtij profesioni.

Sinan Kajtazi (Foto: Facebook)

Në një intervistë për Telegrafin, ai ka shpalosur të rejat që do të sjellë në kuadër të Baletit Kombëtar të Kosovës.

Lexo po ashtu Sinan Kajtazi: Ëndrra e Ahmet Brahimajt për Baletin Kombëtar të Kosovës duhet të jetë mison për ne

Kajtazi mes të tjerash ka rrëfyer fillimet e tij në Baletin e Kosovës, për atë që do të jetë më ndryshe e po ashtu edhe për planet e tyre.

Sinan Kajtazi (Foto: Facebook)

Telegrafi: Javë më parë keni marrë detyrën e drejtorit të Baletit Kombëtar të Kosovës, si të bën të ndihesh ky fakt?

Sinan Kajtazi: Një obligim e mision profesional e moral, për të qenë në shërbim të punës së palodhshme të balerinëve të cilët derdhin djersë çdo ditë, si profesionistë të një profesioni fisnik e mjaft të vështirë, siç është baleti. Po ashtu, për të garantuar të tashmen dhe të ardhmen e BKK, duke respektuar me përulje të gjithë ata që ndër vite kanë dhënë kontributin e tyre për Baletin Kombëtar të Kosovës. Sigurisht, nder i jashtëzakonshëm të pasoj profesorin dhe ish-Drejtorin e BKK, tashmë të ndjerin Ahmet Brahimaj, i cili ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për baletin tonë.

Telegrafi: Konkursi për pozitën e drejtorit të Baletit ka hasur edhe në pakënaqësi të shumta, çfarë mendon lidhur me këtë?

Sinan Kajtazi: Nuk jam në dijeni për “pakënaqësi të shumta”. Di që ka pasur disa ankesa, të cilat janë trajtuar nga ana e Komisionit për Ankesa në MKRS, dhe siç dihet, janë hedhur poshtë si të pabaza.

Sinan Kajtazi (Foto: Facebook)

Telegrafi: Ju jeni pjesë e Baletit që nga vitet e pasluftës kur edhe u riaktivizua, çfarë do të thotë për ty kjo?

Sinan Kajtazi: Ka qenë nder të jem pjesë e gjeneratës së parë të balerinëve të pasluftës, me të cilët kemi ri sjell në jetë baletin në Kosovë. Ndjenjë e jashtëzakonshme që më përcjell gjithmonë.

Telegrafi: Në një pozitë të tillë, çfarë premton Kajtazi për të rinjtë që do të drejtohen e do ta kenë fokus këtë fushë?

Sinan Kajtazi: Mbështetje të pa rezervë për të gjithë ata që kanë potencial e talent. Unë vet i përkas fushës së baletit. Kam kërcyer për 20 vite si balerin dhe e kuptoj më mirë se kushdo se sa nevojë ka për përkrahje një balerin në vendin tonë.

Sinan Kajtazi (Foto: Facebook)

Telegrafi: Si e përshkruan Baletin në fillimet e juaja, e si do të jetë tani? Çka do të ketë më ndryshe?

Sinan Kajtazi: Kam filluar baletin në vitin 2001. Në vitin e dytë të studimeve të baletit, kam pas fatin që bashkë më gjeneratën time të balerinëve, të inkuadrohemi në shfaqjet e baletit si nxënës. Në atë kohë, gjërat kanë qenë bukur më ndryshe se sa sot. Mund ta imagjinoni edhe vet! Një vend i sapo dal nga lufta, e kujt do t’i shkonte mendja për balet?

Sot, gjithçka është më ndryshe, sigurisht në favor të baletit në këtë rast. Falë punës kolosale që është bërë ndër vite nga Baleti Kombëtar i Kosovës, respekti ndaj BKK por edhe baletit në Kosovë, është shumë më i madh e në nivele të kënaqshme në raport me periudhën e para 20 viteve.

Telegrafi: Sa i kushtohet rëndësi Baletit në Kosovë dhe si do të duhej të ishte? A ka mbështetje nga organet kompetente?

Sinan Kajtazi: E thashë e po e përsëris. Puna që BKK ka bërë për vite me radhë, shfaqjet kualitative, festivalet dhe turnetë në rajon dhe qendra të ndryshme të Evropës, kanë bërë që ky profesion të merr vëmendje. BKK ka gravituar vëmendje për shkak të rezultateve pozitive që ka treguar. Sigurisht se mbështetja jo gjithmonë ka qenë e duhura, mirëpo ne nuk kemi hezituar asnjëherë të kërkojmë mbështetje. Ne jemi vend i vogël dhe BKK në njëfarë forme, është edhe epiqendër e kësaj gjinie të bukur të artit.

Telegrafi: Cilat janë shfaqjet më të rëndësishme nga Trupa e Baletit, dhe çfarë do të ketë në përgatitje në vijim?

Sinan Kajtazi: Baleti Kombëtar i Kosovës, ka realizuar shfaqje të repertorit klasik, neoklasik dhe bashkëkohor, në bashkëpunim me emra të njohur të koreografisë botërore. Do vazhdojmë të kultivojmë këto bashkëpunime, gjithmonë me qëllim që përveç së të jemi në trend me botë, të sjellim vepra kualitative para publikut vendas dhe jo vetëm.

Telegrafi: Krahas përfshirjes në Balet, ju jeni edhe një muzikant i arrirë duke luajtur në disa instrumente. Mes këtyre profesioneve, ku e sheh veten më shumë Sinani?

Sinan Kajtazi: Që nga mosha e re, jetoj me baletin dhe muzikën. Praktikisht, të qenit edhe muzikant, më ka ndihmuar shumë edhe si kërcimtar. Baleti është gjini artistike, që për bazë ka muzikën, prandaj kam qenë me fat në këtë aspekt.
E kam thënë edhe herë të tjera, ndjehem i plotë me të dyja bashkë. Në fakt, jam tejet i lumtur që kam kultivuar tek vetja dëshirën dhe konsistencën që të merrem edhe me balet edhe me muzikë.

Telegrafi: Çfarë mendon se i ka munguar Baletit, gjë që do të ishte e mundur të realizohej tani?

Sinan Kajtazi: Kushtet e punës. Salla dhe skena për të shpërfaqur gjithë potencialin e balerinëve të talentuar që i kemi.

Telegrafi: Cilat janë planet e juaja që do t’i shpalosje me publikun dhe dashamirët e Baletit?

Sinan Kajtazi: Në Shtator të këtij viti, festojmë 50 vjetorin e krijimit të Baletit Kombëtar të Kosovës. Kjo është ngjarja që do ta merr vëmendjen planet e afërta. Sigurisht se planet janë të shumta, dhe s’kam dyshim se gjithçka çfarë varet nga ne si BKK, do të realizohet në mënyrën më të mirë të mundshme. /Telegrafi/

Exit mobile version