Site icon Telegrafi

Drejtori i Policisë së Kosovës takohet me drejtoreshën e EUROPOL-it, flasin për avancimin e bashkëpunimit

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha është pritur në një takim nga drejtoresha ekzekutive e EUROPOL-it, Catherine De Bolle, me të cilën ka biseduar për bashkëpunimin në mes Policisë së Kosovës dhe EUROPOL-it.

Drejtori Hoxha, së bashku me një delegacion nga MPB-ja dhe AKSP-ja po merr pjesë në forumin për bashkëpunim strategjik të projektit CEPOL WB PACT- projekti i CEPOL-it për mbështetje në trajnime për vendet e Ballkanit Perëndimor në luftën kundër terrorizmin, që po mbahet në EUROPOL në Hagë më 30 dhe 31 janar 2024.

Sipas komunikatës së Policisë, në kuadër të këtij aktiviteti Drejtori i përgjithshëm i Policisë së bashku me anëtarët e tjerë të delegacionit, Besnik Sallahu – zyrtar ndërlidhës në EUROPOL, Kastriot Jashari –  drejtor i AKSP-së dhe Ron Krasniqi – përfaqësues nga MPB-ja, kanë zhvilluar një takim të veçantë me drejtoreshën ekzekutive te EUROPOL-it, Catherine De Bolle.

Në këtë takim është diskutuar për bashkëpunimin në mes Policisë së Kosovës dhe EUROPOL-it, punën e zyrës ndërlidhëse të Kosovës në EUROPOL dhe për hapat e mëtejmë për avancimin e bashkëpunimit në luftën e përbashkët kundër krimit të organizuar, krimeve të rënda, terrorizmit dhe krimeve kibernetike.

Drejtori Hoxha falënderoi EUROPOL-in për bashkëpunimin dhe mbështetjen si dhe ka shprehur synimin për avancim të mëtejmë të bashkëpunimit drejt një marrëveshjeje operacionale me EUROPOLI-in, rritjen e kontributit në kuadër të hetimeve dhe operacioneve të EUROPOL-it, thuhet në njoftim. /Telegrafi/

Exit mobile version