Ish-ndihmësi i Bernard Challandes, trajneri Muharrem Sahiti, tashmë ushtron postin e drejtorit të Përfaqësueses së Kosovës, ndërsa ai së fundmi në një intervistë ka marrë një shembull tejet të fortë për futbollistët që janë ftuar të luajnë.
Ai ka thënë se disa lojtarë po hezitojnë të vijnë, ndërsa disa të tjerë kanë dhënë sinjale pozitive. Bëhet fjalë për emra si Andi Zeqiri, Bastien Toma, Toni Domgjoni e të tjerë, që kanë oferta nga Kosova.
“Ne kemi bërë të gjitha që janë në mundësitë tona që të kontaktojmë me gjithë këta futbollistë dhe të ju tregojmë projektin tonë”.
“Disa po hezitojnë, ndërkohë disa të tjerë, teksa po japin shpresë, gjithashtu po e shqyrtojnë mundësinë të luajnë edhe për vendet në të cilat janë zhvilluar”.
“Sidoqoftë, do të vjen momenti që ata do të bëjnë zgjedhjen dhe në rast se nuk do ta zgjedhin Kosovën, ata nuk do ta kenë më respektin e njëjtë në popullin e Kosovës. Këta futbollistë duhet të kenë konsideratë ndaj atdheut, ndaj vendit të origjinës”.
“E kam thënë edhe më parë, kur shumë ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i kanë pasur kushtet shumë më të mira në perëndim, por kanë ardhur në Kosovë dhe kanë dhënë jetën për këtë vend”.
“Ne nuk po i ftojmë të japin jetën për Kosovën, por për të luajtur për Kosovën”, ka thënë Sahiti në “Kanal 10”.
Gjithsesi, Sahiti ka konfirmuar që mund të ketë risi për ndeshjet e muajit mars, të cilat Kosova i zhvillon në kuadër të kampanjës kualifikuese për “Botërorin 2022”. /Telegrafi/