Site icon Telegrafi

Drejtori i OBSH-së: Nacionalizmi i vaksinave vetëm ngadalëson pandeminë

Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus tha sot se “nacionalizmi i vaksinave” vetëm do të ngadalësonte përpjekjen për të ndaluar pandeminë dhe bëri thirrje që vaksinat të shfrytëzohen në një mënyrë të drejtë dhe efektive.

Ghebreyesus vuri në dukje se 78 vende të pasura deri më tani janë bashkuar me planin global Covax, duke e dërguar numrin në 170 dhe duke u rritur më tej. Ai u kërkoi vendeve të tjera t’iu bashkohen deri në afatin e fundit të 18 shtatorit, shkruan economictimes.

Covax drejtohet bashkërisht nga Aleanca Globale për Vaksinat dhe Imunizimin (GAVI), Koalicioni për Inovacionin në Gatishmëri për Epidemi (CEPI), dhe është krijuar për të garantuar qasje të barabartë në vaksinat globale të coronavirusit kur të zhvillohen dhe autorizohen për përdorim, transmeton Telegrafi.

Plani aktualisht përfshin nëntë kandidatë për vaksinat e coronavirusit dhe qëllimi është të sigurojmë furnizime dhe të shpërndajmë dy miliardë doza në vendet që bashkohen deri në fund të vitit të ardhshëm. Ghebreyesus shprehet se katër të tjerë duken “premtues”.

Sidoqoftë, disa vende që kanë siguruar furnizimet e tyre përmes marrëveshjeve bilaterale, përfshirë SHBA-të, thonë se nuk do të bashkohen me Covaxin.

Lexo po ashtu SHBA-ja nuk do t'i bashkohet një përpjekjeje ndërkombëtare për zbulimin e një vaksine anti COVID-19

Sipas tij, “nacionalizmi i vaksinave” vetëm do të zgjasë dhe nuk do të shkurtojë kohëzgjatjen e pandemisë.

“Nëse dhe kur kemi një vaksinë efektive, ne gjithashtu duhet ta shfrytëzojmë atë në mënyrë efektive. Me fjalë të tjera, përparësia është të vaksinohen disa njerëz në të gjitha vendet dhe jo të gjithë njerëzit në vende të caktuara”, tha Ghebreyesus, duke shtuar se punëtorëve shëndetësorë duhet t’u jepet përparësi, të moshuarve dhe njerëzit me sëmundje kronike.

Ai falënderoi Gjermaninë, Japoninë, Norvegjinë dhe Komisionin Evropian për bashkimin me Covax. /Telegrafi/

Exit mobile version