Site icon Telegrafi

Drejtori i MEPSO-s: Me KRRE-në kemi bashkëpunim korrekt, presim zgjidhje të problemit me krizën energjetike

Drejtori i kompanisë “MEPSO”, Orhan Murtezani ka folur në një intervistë televizive lidhur me gjendjen aktuale të kompanisë, e cila shpesh herë thuhet se punon me humbje.

“Shpesh kur flasim për kostot e humbjeve në rrjetin e transmisionit, nënkuptojmë humbje financiare, por këto nuk janë humbje të tilla, por bëhet fjalë kur rryma humb në transmision”, tha në emisonin Top Tema, drejtori i MEPSO-s, Orhan Murtezani.

Energjia elektrike gjatë transmetimit nga pika A në pikën B në një farë mënyre humbet dhe ato humbje MEPSO është e obliguar t’i kompensojë, gjegjësisht t’i prokurojë me tender, sepse një kompani që ka blerë le të themi 100 megavat, duhet t’ia dorëzojë konsumatorit final fiks 100 megavat si në hyrje ashtu edhe në dalje”, shpjegoi Murtezani.

Sipas tij, shqetësimet në sektor kanë nisur në gusht të vitit të kaluar dhe janë më intensive në tetor dhe nëntor, me njëfarë stabilizimi tashmë.

“Në katër muajt e fundit të vitit 2021, për totalin e humbjeve në MEPSO janë dhënë 7.4 milion euro, tarifa këto që u siguruan me çmimin e vjetër në bursë. Që nga janari, duke qenë se të gjitha kontratat duhet të lidhen me një çmim që është aktual në bursë, vetëm për tre muajt e parë të këtij viti, kostot bazë për humbje të energjisë elektrike në rrjetin e transmisionit, MEPSO i ka 9.2 milionë euro dhe gjithë kjo humbje duhet përshtatet me rritje të tarifës”, deklaroi Murtezani.

Murtezani sqaron se MEPSO në baza ditore sheh se sa pjesëmarrës të tregut blejnë energji elektrike, gjegjësisht sa është konsumi i planifikuar, por jo sa është konsumi i realizuar, veçanërisht i konsumatorëve që janë të kyçur në rrjetin e shpërndarjes, rrjetin e EVN-së.

Ai sqaron se janë duke u zhvilluar bisedime me Komisionin Rregullativ të Energjisë dhe se kanë bashkëpunim të shkëlqyeshëm dhe se bashku do të duhet të gjendet një zgjidhje për krizën energjetike.

Sa i përket dëmeve, drejtori i përgjithshëm i MEPSO-s theksoi se opinioni e di se deri më tani kanë përjashtuar nga tregu tre kompani, të cilave u janë bllokuar llogaritë dhe kanë nisur procedurat gjyqësore.

Megjithatë, ai shton se fatkeqësisht të gjitha ato kompani janë kompani me përgjegjësi të kufizuar me 5000 euro kapital themelues.

Exit mobile version