Telegrafi

Drejtori ekzekutiv i Pfizer: Deri në fund të vitit 2021 do të kemi më shumë doza të vaksinës sesa që kemi nevojë

Drejtori ekzekutiv i kompanisë Pfizer, Albert Bourla, ka deklaruar se është i bindur që deri në fund të vitit 2021 do të ketë më shumë doza të vaksinës kundër coronavirusit, sesa që do të jetë e nevojshme në luftën kundër pandemisë.

“Jam i bindur që deri në fund të vitit 2021, do të ketë më shumë vaksina sesa që do të kemi nevojë. Po bëjmë gjithçka që të rrisim kapacitetet prodhuese, por problemi qëndron se ato duhet t’i rrisim muajve të ardhshëm”, ka shtuar Burla, transmeton Telegrafi.

Ndërkohë ai ka theksuar se është e rëndësishme që qeveritë të mos i  lehtësojnë masat mbrojtëse.

“Është e rëndësishme që vaksinën ta përdorim si një mjet”, ka thënë ndër tjera drejtori ekzekutiv i cili shtoi se pa dyshim se do të jetë më efikase dhe me një efekt afatgjatë.

“Koha kur do t’i kthehemi normalitetit nuk është larg, por sigurisht se tani nuk është”, shtoi Bourla.

Kujtojmë që Pfizer gjatë muajit të kaluar bëri të ditur se vaksina e tyre është efikase rreth 95 përqind. Në anën tjetër Britania e Madhe është bërë vendi i parë në botë që ka miratuar përdorimin e vaksinës kundër coronavirusi nga kompanitë Pfizer dhe BioNtech. /Telegrafi/