Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues, Nehat Thaçi ka dhënë detaje për dy gardianët e burgut të Mitrovicës që kanë dalë pozitiv me coronavirus.
Thaçi në RTV Dukagjini ka thënë se gjendja shëndetësore e dy zyrtarëve të Shërbimit Korrektues është stabile dhe se nuk kanë ndonjë shqetësim të veçantë.
“Sipas informacioneve të para ata janë infektuar me coronavirus gjatë një dasme që është mbajtur në Zveçan më 14 mars”.
Drejtori i Burgjeve thotë se do të testohen të gjithë të burgosurit dhe stafi me të cilin kanë punuar të prekurit.
“Nuk është shumë qendër e madhe paraburgimi. Nga gjithsejtë 78 shtretër sa ka qendra momentalisht janë të vendosur 48 persona”.
Thaçi thotë se tashmë ka një plan se si do të veprohet nëse ndonjë i burgosur është prekur nga coronavirusi si pasojë e kontakteve me gardianët.
“Do t’iu ofrojmë të gjitha shërbimet shëndetësore të gjithë të burgosurve. Por deri më tani nuk ka ndonjë simptomë te të burgosurit në atë qendër”, tha ndër të tjera Nehat Thaçi./Telegrafi/