Drejtori i Drejtorisë së Arsimit në Fushë-Kosovë, Fatlum Berisha, para mediave ka thënë se do t’i pezullojnë edukatoret që dyshohet se u përfshinë në rrahjen e një fëmijë në çerdhen publike “Gëzimi Ynë”.
Berisha deklaroi se edukatoret e përfshira në rastin e dhunës ndaj trevjeçarit po intervistohen në Policinë e Kosovës, e pas kësaj, do të pezullohen.
“Nuk jam ekspert ta cilësoj atë si dhunë, por do ta respektojmë ligjin. Si DKA do t’i marrim të gjitha masat. Unë qëndroj prapa organeve kompetente. Nuk i kemi pezulluar këto edukatore, por do të pezullohen…Patjetër do të respektojmë ligjin dhe do t’i pezullojmë edukatorët”, ka thënë Berisha, transmeton Telegrafi.
Berisha gjithashtu tha se Policia ka sekuestruar edhe pajisje të kamerave.
“DKA-ja është informuar nga drejtoresha e çerdhes…Për hapat në vazhdim do të jemi në bashkëpunim të plotë me të gjitha organet kompetente. Policia e Kosovës i ka bërë ftesën edukatorëve që dyshohet se janë të përfshira, janë duke u intervistuar akterët që dyshohet se janë në rast. Policia ishte këtu, kanë sekuestruar edhe pajisje të kamerave, për hapa në vazhdim do të jemi në bashkëpunim. Këtu s’ka të bëjë me kompetenca të drejtorit, por me respektim të ligjit”, ka shtuar ai.
Lidhur me rastin Telegrafi ka provuar të marrë një deklaratë edhe nga drejtoresha e kopshtit “Gëzimi Ynë”, por që e njëjta nuk është lajmëruar.
Ndryshe, të hënën, një qytetar në rrjetin e tij social në Facebook ka njoftuar se nipi tij është rrahur nga tri edukatore.
“Të nderuar media dhe prindër! Dua të ndaj me ju diçka të tmerrshme që sapo ka ndodhur në Fushë Kosovë, në çerdhen shtetërore të fëmijëve “Gëzimi Ynë”, është rrahur brutalisht nipi im Lisi, vetëm 3 -vjeç. Shikoni kamerat ku shihet qartë që po rrihet e tërhiqet zvarrë, me pas e dërgojnë në një dhomë pa kamera dhe e rrahin pa mëshirë të tri mësueset e kësaj k***e”.
Lidhur me rastin ka pasur reagime të shumta./Telegrafi/