Nga njëmbëdhjetë drejtoratet e Komunës së Prishtinës, gjashtë nga drejtuesit e tyre vijnë nga rajoni i Gollakut. Ndodh në Komunën e Prishtinës që shefi i sektorit në drejtoratet përkatëse të ketë përgatitje të mesme shkollore, ndërsa vartësit e shefave të kenë përgatitje superiore!
Ndër prioritetet kryesore të BE-së në raport me Kosovën mbeten reformat në administratën publike, ndërsa në Komunën e Prishtinës jo që nuk kanë ndodhur këto reforma, por ato janë përkeqësuar edhe më shumë. Në administratën e Komunës së Prishtinës, vazhdon të mbetet problem përzgjedhja e drejtorëve të drejtorateve dhe bordet e ndërmarrjeve komunale. Duket që kryetari i Prishtinës, z. Isa Mustafa, është fokusuar që përzgjedhjen e drejtorëve ta bëj nga rajoni i Gollakut prej nga vjen edhe ai, ndërkohë që në radhët e drejtorëve të përzgjedhur ka edhe familjarë të tij, pa ndonjë begraund profesional dhe pa përgatitje të duhur për t’i udhëhequr drejtoratet. Ndodh në Komunën e Prishtinës që shefi i sektorit në drejtoratet përkatëse të ketë përgatitje të mesme shkollore, ndërsa vartësit e shefave të kenë përgatitje superiore!
Nëse i bëjmë një analizë sado sipërfaqësore, nga njëmbëdhjetë drejtoratet e Komunës së Prishtinës, gjashtë nga drejtuesit e tyre vijnë nga rajoni i Gollakut, ndërsa kësaj radhe rajoni i Llapit është minimizuar dukshëm dhe janë vetëm dy sish, ndërkohë që tre të tjerë janë nga rajone të tjera të Kosovës. Qytetarët e Prishtinës janë shumë të indinjuar me vendimin e njëanshëm të kryetarit të Prishtinës, kur ai pas zgjedhjeve të fundit lokale vendosi që për zëvendëskryetar të Prishtinës të emëroj z. Abdullah Hoti, i cili nuk ka ardhur përmes votës së qytetarëve të Prishtinës, pasi ai vjen nga Komuna e Rahovecit. Ky vendim prej autokrati të z. Isa Mustafa, flet më së miri për përbuzjen e votës së qytetarit të Prishtinës.
Cilët janë drejtorët e përkëdhelur të Kryetarit të Prishtinës?
Drejtorati i Administratës dhe Personelit në Komunën e Prishtinës është po ai Drejtorat i pareformuar si më parë. Se është i pareformuar dhe pa invencione, këtë e dëshmojnë më së miri tollovitë e qytetarëve para sporteleve të Komunës, por që Drejtori i këtij Drejtorati mbetet më i përkëdheluri i Kryetarit të Komunës, sepse është shumë i dëgjueshëm dhe vjen nga i njëjti rajon. Thembër Akili në Komunën e Prishtinës mbetet Drejtoria e Urbanizmit, Ndërtimit dhe Mbrojtjes së Mjedisit. Ka të ngjarë që shefja e këtij Drejtorati, udhëheqjen e Komunës së Prishtinës do ta dërgojë drejtë dështimit të madh. Tash një kohë në këtë Drejtorat nuk lëshohen leje ndërtimi, ndërsa mungesa e kreativitetit dhe ekspertëve përkatës për të gjetur zgjidhje, ka ndikuar që dhjetëra kompani ndërtimi të mos kenë punë, përfshirë këtu edhe qindra punëtorë. Muajve të fundit, drejtoresha e këtij Drejtorati duke u ndier e pasigurtë në zyrën e saj nga presioni i qytetarëve që kërkojnë leje ndërtimi, udhëheqja e Komunës i ka siguruar asaj edhe roje para zyrës së saj nga një kompani e sigurimeve.
Hiç më pak i përkedhelur nga dy drejtorët e lartëshënuar nga Kryetari i Prishtinës nuk mbetet as Drejtori i Drejtoratit të Infrastrukturës Lokale. Sado që Kryetari i Prishtinës, mburret me këtë Drejtor se “nuk ka lënë rrugicë të Prishtinës pa e shkelur”, realiteti e flet të kundërtën. Së pari ky Drejtor tash tre vjet është dashur të shkojë në pension, pasi është 68 vjeçar dhe kështu përbën shkelje të Ligjit të Punës dhe së dyti infrastruktura lokale lë shumë për të dëshiruar që ky drejtor të jetë aq i avancuar.
Nepotizmi dhe joprofesionalizmi kriter për përzgjedhje
Kriter për përzgjedhje të drejtorëve të drejtorateve për Kryetarin e Prishtinës duket të jetë prioritet joprofesionalizmi dhe familjarizmi. Kështu Drejtori i Drejtoratit të Shërbimeve Publike, Mbrojtjes e Shpëtimit dhe drejtori i Drejtoratit të Inspekcionit, përveç që udhëheqin dy drejtorate kyçe, ata janë edhe kushërinjë mes veti. Që koincidenca të jetë edhe më e madhe, këta dy drejtorë kanë përgatitje superiore në fushën e arsimit, ndërkohë që i udhëheqin këto dy drejtorate që ekskluzivisht me profesion duhet të jenë inxhinierë, madje profesionalisht të avancuar dhe me shumë përvojë në fushat përkatëse.
Drejtori i Inspekcionit në Komunën e Prishtinës, ndryshe njihet edhe si “Supermeni” i Komunës. Ai është edhe Drejtor i Drejtoratit për Inspekcion, edhe zëdhënës i Komunës së Prishtinës! Në këtë pikë, kryetari i Prishtinës ka vepruar me qëllim që të mos funksionojë Zyra për Marrëdhënie me Publikun, e cila edhe kështu nuk ka funksionuar kurrë dhe kështu transparenca në këtë institucion është ngulfatur si asnjëherë më parë. Lidhur me këtë më së miri flet faqja zyrtare e Komunës së Prishtinës me mungesë informacionesh elementare për qytetarët e Prishtinës dhe me joprofesionalizëm të theksuar.
Derisa dy drejtorët e lartëshënuar janë kushërinj mes veti dhe bashkëvendës të Kryetarit të Prishtinës, drejtori i Drejtoratit për Financa dhe Pronë dhe ai i Arsimit janë edhe bashkëvendës, edhe familjarë të Kryetarit! Që të dy këta drejtorë janë pa begraund profesional dhe pa ndonjë përvojë në menaxhimin e dy fushave shumë të rëndësishme, të Pronës dhe Arsimit.
Në këtë kuadër për joprofesionalizëm shquhet edhe drejtoresha e Drejtoratit për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Prishtinës. I vetmi aktivitet i saj në fushën e kulturës është kur ajo ishte studente, njëkohësisht ishte edhe valltare në Ansamblin “Ramiz Sadiku” të Universitetit të Prishtinës. Ajo, së bashku me drejtorin e Drejtoratit të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale u huazua nga ish-partia reformiste “Ora”, përkatësisht Lidhja Demokratike e Dardanisë.
Ndërmarrjet komunale dhe jofunksionaliteti
E njëjta gjendje ekziston edhe në ndërmarrjet komunale të Prishtinës, në bordet e të cilave kryetari i Prishtinës ka dërguar njerëz që më së paku i përkasin njohurive të punëve dhe detyrave të këtyre ndërmarrjeve. Duket që kryetari i Prishtinës ka dërguar joprofesionistë edhe në bordet e ndërmarrjeve publike, me qëllimin e vetëm që këto ndërmarrje t’i kontrollojë më mirë. Lidhur me këtë më së miri flet gjendja në Ndërmarrjen komunale “Trafiku Urban” në Prishtinë dhe protestat tash disa muajshme të punonjësve të kësaj ndërmarrjeje komunale. Siç duket gjendja e këtillë që po ndodh në
Ndërmarrjen komunale “Trafiku Urban”, dikujt do të mund t’i përshtatej që kjo Ndërmarrje të shkojë në falimentim, ku më pastaj kjo kompani do të privatizohej dhe dikujt do t’i shkonte në favor. Kjo mund të ndodh për faktin se ndërmarrja “Trafiku Ubran” ka hapësira të mira për veprimtari të bizneseve për shitje dhe servisim të automjeteve. Kjo gjendje e rëndë është edhe në ndërmarrjen komunale “Termokos”, ku qytetarët e Prishtinës edhe këtë vit presin një dimër fatal, ndërsa gjendja e këtillë është edhe në të gjitha ndërmarrjet tjera komunale.