Telegrafi

Drejtorët e inspektoriateve komunale rekomandojnë inspektime të përbashkëta, theksojnë mungesën e koordinimit me mekanizmat tjerë

Nën organizim të Asociacionit të Komunave të Kosovës, Kolegjiumi i Inspektoriatit mbajti takimin e radhës, ndërsa u rekomandua të bëhen inspektime të përbashkëta.

Në këtë takim u diskutua për vështirësitë e inspektoriateve në implementimin e masave kundër COVID-it si dhe vendimet e reja të Qeverisë së Kosovës.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, në këtë takim elaboroi disa nga vendimet të cilat pritet të merren nga Qeveria e Kosovës si dhe u njoh për së afërmi me problemet dhe vështirësitë të cilat janë ballafaquar inspektorët komunalë në implementimin e deritashëm të masave kundër COVID-19.

“Po ashtu, mbetet të shikohet edhe mundësitë që të angazhohen Inspektorë shtesë për menaxhim sa më të mirë të situatës me pandeminë COVID-19”, thuhet në njoftim.

Drejtorët e Inspektoriateve në këtë takim ngriten një numër të konsiderueshëm të vështirësive me të cilat janë ballafaquar gjatë kësaj periudhe, e të cilat në pjesën më të madhe kanë të bëjnë me vështirësi në koordinim me mekanizmat e tjerë siç janë: Inspektorët Sanitarë të Agjensionit të Veterinës dhe Ushqimit të Kosovës dhe Inspektorët (AVUK) e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.

Në këtë takim u tha se duhet të krijohen ekipe të përbashkëta nga Inspektorët e AVUK-ut, Inspektorët nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë si dhe Inspektorët Komunalë dhe të të bëhen inspektime të përbashkëta në respektim të masave kundër pandemisë. /Telegrafi/