Ministri i Shëndetësisë Fatmir Mexhiti tha se drejtorët e BDI-së pranë Qendrës Klinike “Nënë Tereza” sot nuk kanë shkuar në punë dhe kanë hapur pushim mjekësor nga frika se mund të shkarkohen për hakmarrje nga po i njëjti Ministri i Shëndetësisë Mexhiti. TV21 shkoi për të parë se realisht a janë në vendet e punës drejtorët e BDI-së.
Disa nga Klinikat me të cilat udhëheqin drejtorë nga radhët e BDI-së dhe ishin me dyer të mbyllura. Të punësuarit thanë se drejtorët janë ftohur.
Ministri i Shëndetësisë Fatmir Mexhiti, thotë se Artan Grubi u ka thënë drejtorëve që të marrin pushim, që të mos mund t’i shkarkojë, por sipas Mexhitit këto janë spekulime, sepse siç u shpreh, Aleanca e Arben Taravarit nuk merret me hakmarrje sikurse BDI.
“Këto mesazhe që i shpërndan Artan Grubi te drejtorët e BDI-së, unë nuk i quaj drejtorë të BDI-së por i quaj drejtorë të Ministrisë së Shëndetësisë. U apeloj të gjithë drejtorëve që të rrinë rehat se ata janë drejtor të mi edhe pushim mjekësor merret kur vërtet një person është i sëmurë, kjo është vërtet keqpërdorim që së paku nuk duhet ta bëjnë menaxherët e institucioneve shëndetësore publike”, deklaroi Fatmir Mexhiti – ministër i Shëndetësisë.
Përndryshe zërat për shkarkime të mundshme të drejtorëve erdhën pasi u morr vesh se ASH kërkoi shkarkimin e ministrit të shëndetësisë Mexhiti. Tashmë shkarkimi i Mexhitit është në Kuvend, ku për nesër është thirrur seanca për shkarkim, e deri në atë moment, me shumë gjasa drejtorët e klinikave do të jenë “të sëmurë”./TV21/