Për Ditën Ndërkombëtare të Rinisë, Dr. Natalia Kanem, drejtoreshë ekzekutive e UNFPA-së, ka dalë me një deklaratë në mbështetje të tyre dhe duke treguar edhe për lidershipin që ata po e tregojnë edhe sot në luftën kundër pandemisë COVID-19.
Më poshtë e keni deklaratën e plotë të saj:
“Ndërsa shënojmë Ditën Ndërkombëtare të Rinisë në mes të një pandemie globale, ne jemi dëshmitarë se si të rinjtë po ndërmarrin veprime për të zgjidhur problemet në komunitetet e tyre.
Të rinjtë kanë qenë në vijë të parë të përgjigjes ndaj pandemisë COVID-19, duke u mobilizuar në të gjithë botën. Ata janë punëtorë shëndetësorë, aktivistë, novatorë dhe punonjës socialë dhe të komunitetit.
Për të arritur dhe angazhuar të rinjtë gjatë kësaj pandemie, ne duhet të ndajmë informacione, të sqarojmë dezinformimin dhe duhet t’i përgatisim ata që të ndërmarrin veprime për të parandaluar përhapjen e virusit. Ne duhet të vlerësojmë lidershipin e të rinjve dhe të mbështesim të drejtat e tyre njerëzore.
UNFPA, Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Shëndet Seksual dhe Riprodhues dëgjon zërat e të rinjve dhe mbështet pjesëmarrjen e tyre kuptimplote në vendimet që prekin ata.
Javën e kaluar, UNFPA drejtoi një bisedë globale nën hashtag-un #YouthAgainstCOVID19. Të rinjtë kudo inkurajohen të ngarkojnë video që tregojnë veprimet e tyre në luftë kundër pandemisë dhe të ndajnë mësime se si po hartojnë shtigje të reja për komunitetet e tyre.
Ndër efektet shkatërruese të pandemisë si, humbja e mundësive për punësim, arsim dhe qasje në shërbime thelbësore, përfshirë shërbime shëndetësore seksuale dhe riprodhuese, do të thotë që shumë të rinj po përballen me shkelje të të drejtave dhe zgjedhjeve të tyre. Gratë dhe vajzat e reja janë veçanërisht të cenueshme.
Ndërsa bota kërkon të marrë vetën, ne duhet të sigurohemi që të rinjtë të prioritizohen në mënyrë që të kenë qasje në arsim, mjete dhe shërbime të nevojshme që ata të arrijnë potencialin e tyre të plotë.
Sot, le t’i bashkojmë duart mes brezave. Le të bashkohemi për tu ballafaquar me sfidat para nesh, duke punuar me të rinjtë për të ndërtuar një të ardhme më gjithëpërfshirëse, të qëndrueshme për të gjithë”.