Site icon Telegrafi

Drejtoresha e “MuralFest”, flet për edicionin e shtatë të festivalit dhe për sfidat e realizimit të artit të rrugëve

“Nëse e dëgjoni një zë brenda jush duke ju thënë ‘nuk mund të pikturoni’, atëherë me çdo kusht pikturoni dhe ai zë do të heshtë”, duket se kjo thënie nga piktori i famshëm gjerman Van Gogh e ka frymëzuar edhe Lebibe Topallin kur filloi ta jetësojë ëndrrën e saj për artin.

Në një intervistë për Telegrafin ajo tha se “Street Art”, apo arti rrugëve i hipi gratë në skele dhe theu tabu, kjo pasi kjo punë kohë më parë në Kosovë bëhej vetëm nga burrat dhe këto punë cilësoheshin punë vetëm për meshkuj.

“Street Art faktikisht nuk është një fushë artistike shumë e njohur te ne. Të jesh grua dhe të fillosh iniciativën për zhvillimin e një fushe të braktisur në hapësira publike patjetër se është sfiduese, e sidomos para dy dekadave kur filluam ne. Puna jonë vendosi gra në skele dhe hapësira që cilësoheshin vetëm për meshkuj, gjë që theu shume tabu në shoqëri dhe fatmirësisht hapi rrugë për zhvillim të mëtutjeshëm. Fatmirësisht sot gratë dhe vajzat tona ushtrojnë lirshëm këtë profesion pa ndonjë pengesë sociale”, rrëfeu ajo.

Lebibe Topalli, drejtoreshë ekzekutive e MuralFest. Foto: Facebook

Pavarësisht këtyre sfidave sot ajo është drejtoreshë ekzekutive e festivalit MuralFest, ku nëpërmes artit të bërë në këtë festival trajton tema të ndryshe të cilat kanë ndikim në shoqëri.

“Njëlloj si vitet e kaluara, edhe këtë vit kemi përzgjedhur një temë me ndikim shoqëror, duke synuar gjithmonë ndërgjegjësimin dhe përkrahjen e komunitetit nëpërmjet artit si formë të shprehjes. Në muajin Shkurt të këtij viti do promovohet tematika e edicionit të VII të MuralFest Kosova ku do publikohen detaje të mëtutjeshme”, tha Topalli.

Tutje Lebibe Topalli shtoi se këtë vit festivalin MuralFest do ta nderojnë edhe artistë ndërkombëtarë.

“Fatmirësisht secilin vit kemi pasur artistë të shquar të cilët na lanë me vepra të mrekullueshme. Edhe këtë vit do mirëpresim artistë ndërkombëtar të cilët kontributin e tyre do t’a lënë edhe në cilësinë e mentorëve të punëtorive që organizohen për profesionalizimin e të rinjve tanë brenda grupit ARTivistat. Vlen të ceket se jemi në bisedime për të sjell një ndër artistët më të njohur ndërkombëtarisht në fushën e Street Art dhe muraleve, emrin e të cilit do e publikojmë në përfundim të procesit”, tregoi Lebibja.

Nexhmije Pagarusha mural. Foto: Ridvan Silvova, Telegrafi.com

Kurse për fund ajo tha që tematika e sivjetme e këtij festivali do të ketë dallim prej tematikave të viteve të kaluara, por që do të jetë surprizë.

“Patjetër se MuralFest Kosova synon që çdo herë të rifreskojë komunitetin me projekte të reja. Këtë vit kemi vendosur që tema e edicionit të VII të Festivalit të Muraleve të dallojë dukshëm nga edicionet paraprake, e sidomos nga edicioni i fundit- HOME, cili preku tematikë sentimentale për të gjithë ne. Muralet e punuara në kuadër të këtij Edicioni do jenë shtesat më të bukura të hapësirave tona publike, e për këtë ju ftojmë të na ndiqni në vijim këtë vit..”, përfundoi ajo./Telegrafi/

Exit mobile version